Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë për shkelje të detyrimeve kushtetuese lidhur me pagat e magjistratëve. Deklarata e tij erdhi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku Bardhi kundërshtoi mënyrën se si mazhoranca po trajton çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë. Sipas Bardhit, përgjegjësia për hartimin dhe propozimin e një projektligji që lidhet me pagat e magjistratëve i takon Këshillit të Ministrave, pasi çështja ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit. Ai kritikoi nismën e dy deputetëve socialistë, duke pretenduar se ajo është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se mazhoranca nuk ka marrë masat e nevojshme për zbatimin e tij. “Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Nuk është detyrë e deputetëve të propozojnë çështje që prekin buxhetin e shtetit”, deklaroi Bardhi. Sipas tij, nisma parlamentare nuk garanton zbatimin e vendimit të Kushtetueses dhe krijon pasiguri për funksionimin e gjykatave dhe administratës së drejtësisë. Bardhi e cilësoi situatën si një problem serioz për pavarësinë e sistemit gjyqësor, ndërsa paralajmëroi se vonesat në adresimin e çështjes mund të sjellin pasoja në funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
