Lajme Zone
Banorët e Rrjollit u rikthehen protestave: S’dorëzohemi, kërkojmë të drejtën tonë
PolitikëJOQ Albania

Banorët e Rrjollit u rikthehen protestave: S’dorëzohemi, kërkojmë të drejtën tonë

Banorët e Rrjollit i janë rikthyer sërish protestave për të kundërshtuar ndërtimin e resortit turistik në zonën e tyre, një projekt që po zhvillohet nga kompania "Gener 2" në një sipërfaqe prej rreth 147.2 hektarësh.

Banorët e Rrjollit i janë rikthyer sërish protestave për të kundërshtuar ndërtimin e resortit turistik në zonën e tyre, një projekt që po zhvillohet nga kompania "Gener 2" në një sipërfaqe prej rreth 147.2 hektarësh. Këtë të enjte, ata u zhvendosën para Prokurorisë së Shkodrës për të denoncuar zvarritjen e çështjes së pronësisë, duke theksuar se dosja e tyre ka një vit e gjysmë që "fle" në dyert e këtij institucioni pa pasur asnjë zhvillim konkret.

Gjatë protestës, banorët ngritën akuza të forta ndaj drejtësisë, duke vënë në dukje se ekspertët e caktuar ende nuk po dorëzojnë akt-ekspertizën zyrtare. Përballë kësaj situate dhe mosbesimit të krijuar ndaj institucioneve vendase, ata kanë kërkuar zyrtarisht përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë për të vendosur drejtësi mbi pronat që, sipas tyre, u janë marrë në mënyrë të padrejtë përmes dokumenteve të kontestuara. Protestuesit theksuan se mbi atë tokë, të trashëguar brez pas brezi, do të ketë vetëm një pronar dhe se nuk do të tërhiqen deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës.

Konflikti ka sjellë tensione të vazhdueshme në zonë, pasi projekti ka vijuar pavarësisht pretendimeve se tokat mbeten ende objekt procesesh gjyqësore. Banorët hodhën akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e sfiduan të shkojë vetë në Rrjoll për të parë nga afrimi përgjigjen që do t'i japin. Në shenjë pakënaqësie, ata kanë lëshuar një ultimatum të qartë se nga data 12 shtator protestat do të përshkallëzohen në mënyrë drastike, duke u bërë të përditshme dhe duke paralajmëruar bllokimin e çdo mjeti që hyn në kantierin e punimeve. Kujtojmë se në fillim të këtij viti banorët protestuan për disa muaj, periudhë gjatë së cilës pati edhe përplasje të forta me policinë, ndërsa saga ligjore vijon të mbetet e pazgjidhur.