Një zhvillim i ri në procedimin penal nr. 136/2025 ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, po ngre pikëpyetje të mëdha mbi standardet e dyfishta që po aplikon Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Këtë të mërkurë, më 9 shtator, SPAK njoftoi thellimin e hetimeve dhe rëndimin e pozitës penale për Ballukun. Përveç shkeljes së barazisë në tendera, ndaj saj janë ngritur akuza të reja për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Mirëpo, pavarësisht peshës së këtyre veprave penale, organi i akuzës nuk ka kërkuar asnjë masë të re sigurie personale apo shtrëngim të masës ekzistuese, duke u mjaftuar vetëm me sekuestrimin preventiv të një vile luksoze në Palasë.
Sipas SPAK, Balluku është pronarja faktike e vilës “2F nr.188/1, Nukli 27”, ndërsa prona është mbajtur e fshehur përmes veprimeve fiktive. Hetimet zbulojnë se fillimisht është përdorur një kontratë sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh me ish-futbollistin Igli Tare, ndërsa investimet e mëtejshme prej 288 mijë deri në mbi 410 mijë euro u morën përsipër nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Kjo e fundit nuk ishte rastësi. SPAK pretendon se Balluku e ka kërkuar dhe marrë këtë investim luksoz si përfitim të parregullt (ryshfet) në këmbim të favorizimit të kompanisë së Abazit në tenderin e Lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit prej 2.35 miliardë lekësh pa TVSH.
Për këtë episod, Balluku dyshohet për korrupsion, pastrim parash të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe refuzim të deklarimit të pasurisë. Po ashtu, Igli Tare dyshohet për pastrim parash, ndërsa Arbër Abazi për korrupsion aktiv.
Pavarësisht kësaj skeme komplekse financiare dhe veprave të rënda penale, Gjykata e Posaçme (GJKKO), me kërkesë të SPAK, ka vendosur vetëm "sekuestro preventive" mbi vilën me 478 m² truall dhe 142.6 m² ndërtesë. Në njoftim nuk figuron asnjë kërkesë për arrest me burg, arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje ndaj asnjërit prej personave të përfshirë.
Ky qëndrim përballet me një prapaskenë supozimesh e kritikash, duke pasur parasysh represionin dhe masat ekstreme të sigurisë që SPAK ka aplikuar më parë për çështje e figurave të tjera publike, politikanë apo biznesmenë. Praktika e mungesës së masave personale ndaj zyrtarëve të lartë në raste të tilla ngre dyshime mbi barazinë para ligjit dhe mënyrën se si prokurorët po përzgjedhin shkallën e goditjes.

