Lajme Zone
Balla: Reforma territoriale, prioritet i sesionit të ri parlamentar
PolitikëEuronews Albania

Balla: Reforma territoriale, prioritet i sesionit të ri parlamentar

Reforma Administrative-Territoriale do të jetë një nga prioritetet kryesore të mazhorancës në sesionin e ri parlamentar. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se synimi i kësaj reforme është përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, ndërsa u shpreh se pret konsensus edhe nga opozita.

Reforma Administrative-Territoriale do të jetë një nga prioritetet kryesore të mazhorancës në sesionin e ri parlamentar. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se synimi i kësaj reforme është përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, ndërsa u shpreh se pret konsensus edhe nga opozita. Balla e konsideroi ndryshimin e propozuar si një hap të mëtejshëm pas reformës së vitit 2014, kur numri i njësive vendore u reduktua nga 384 në 61 bashki. “Një ndër sfidat, përveç detyrës për ta përmbyllur këtë hap të reformës territoriale. Mendoj këtë hap sepse, siç bëmë në vitin 2014 që erdhëm nga 384 në 61, kjo është një reformë më e vogël, por gjithmonë në thelb të çdo reforme ka qenë përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarit”, deklaroi Balla. Kreu i grupit të PS-së tha se procesi i konsultimit me këshillat bashkiakë dhe komunitetet do të vijojë sipas afateve të përcaktuara, duke theksuar se mazhoranca do të presë përfundimin e periudhës 60-ditore të konsultimit. I pyetur nëse qeveria do të tërhiqej në rast se shumica e këshillave bashkiakë do ta kundërshtonin reformën, Balla theksoi se vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit, ndërsa konsultimi do të respektohet. “Qytetarët kanë mandatuar Kuvendin për të marrë vendime, dhe në rastin në fjalë sot ka një shumicë në Kuvendin e Shqipërisë, por në respekt të një kompetence ekskluzive të deleguar këshillave, unë ju thashë që do të presim afatin 60-ditor”, u shpreh ai. Balla deklaroi gjithashtu se mazhoranca është e hapur për konsensus me opozitën, për sa kohë që ai nuk pengon objektivin kryesor të reformës. “Gjithmonë dëshira e mirë është të ketë konsensus dhe ne jemi të hapur për të pasur konsensus deri aty kur nuk pengohet një politikë e caktuar. Në rastin tonë synimi është përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha Balla. Sipas tij, nëse respektohen të gjitha afatet procedurale, projektligji për reformën territoriale mund të shqyrtohet në seancë plenare në fillim të tetorit. Balla u shpreh optimist se edhe opozita do të reflektojë dhe do ta mbështesë reformën me konsensus. “Shpresoj shumë që deri në 10-ditëshin e parë të tetorit, kur mund të plotësohen të gjitha afatet për ta shqyrtuar në seancë plenare këtë projektligj, të kemi dhe reflektim nga ana e opozitës për ta votuar edhe ata me konsensus”, deklaroi ai. Reforma Administrative-Territoriale, sipas Ballës, së bashku me reformën zgjedhore, përbën një nga dy sfidat kryesore të mazhorancës në fillim të sesionit të ri parlamentar.