Mbi 3,500 trupa ushtarake nga Azerbajxhani, Turqia dhe Uzbekistani u angazhuan në stërvitjen e përbashkët “Pouer of Unity-2026”, e cila u zhvillua për herë të parë në rajonin e Karabakut, në Azerbajxhan. Gjatë stërvitjes u zhvilluan një sërë skenarësh të lidhur me konfliktet moderne, duke përfshirë përballjen me sulme të koordinuara me dronë, kërcënime kibernetike, fushata dezinformimi, incidente përgjatë kufirit dhe operacione në hapësirat detare. Për realizimin e skenarëve u angazhuan më shumë se 130 mjete pa pilot, rreth 70 automjete të blinduara, mbi 90 sisteme artilerie dhe më shumë se 20 mjete ajrore. Një pjesë e rëndësishme e stërvitjes iu kushtua reagimit ndaj sulmeve me dronë, çminimit të zonave të rrezikuara dhe ndërhyrjes ndaj objektivave të simuluara terroriste. Forcat pjesëmarrëse testuan gjithashtu mënyrën e bashkërendimit dhe reagimit në situata të ndryshme të sigurisë. Në kuadër të ushtrimeve u përfshinë edhe elementë të luftës së teknologjisë së lartë, me skenarë për mbrojtjen e sistemeve nga sulmet kibernetike dhe përballimin e dezinformimit. Stërvitja u shtri edhe në Detin Kaspik, ku u zhvilluan simulime për ‘çlirimin’ e një anijeje dhe shpëtimin e personave të marrë peng. Në përfundim të stërvitjes, ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve vlerësuan bashkëpunimin mes forcave dhe kapacitetin e tyre për të vepruar në mënyrë të koordinuar gjatë operacioneve të përbashkëta. Më pas, ministrat e Mbrojtjes së Azerbajxhanit, Turqisë dhe Gjeorgjisë u takuan në Shusha, ku në fokus të diskutimeve ishin bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, çështjet e sigurisë në rajon dhe forcimi i marrëdhënieve mes tre vendeve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: azerbaujxhani stervitje Turqia

