Katër muaj pasi qeveria shpalli fituesin e autostradës 364.7 milionë euro, kontrata ende po “finalizohet”, projekti teknik nuk ka përfunduar dhe kantieri nuk është hapur. Premtimi për nisjen “sa më shpejt” të punimeve mbeti në letër... Kanë kaluar afro katër muaj nga dita kur qeveria shpalli fituesin për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren. Më 5 qershor 2026, ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi njoftoi përfundimin e garës dhe deklaroi se do të angazhohej personalisht që ndërtimi të niste “sa më shpejt”.
Jemi në fund të shtatorit. Eskavatorët nuk kanë hyrë në trase, kantieri nuk është hapur dhe, sipas deklaratës më të fundit të vetë ministrit, qeveria ende po punon për finalizimin e kontratës.
Më 23 shtator, gjatë Forumit Global të Transportit të Qëndrueshëm në Kinë, Karakaçi deklaroi se “vijon puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe për projektin teknik përfundimtar”.
Kjo fjali mjafton për të ngritur një pyetje të thjeshtë: çfarë ka ndodhur gjatë këtyre katër muajve?
Qeveria e shpalli fituesin në fillim të qershorit. Procedura lidhet me një projekt me vlerë të parashikuar 364.7 milionë euro pa TVSH, për rreth 17 kilometra rrugë dhe një tunel rreth 850 metra. Konsorciumi fitues përbëhet nga “Salillari”, “ALB Tiefbau”, “InfraKonsult” dhe “ERALD-G”.
Në korrik u krijua madje përshtypja se çështja e kontratës kishte përfunduar. Raportime mediatike folën për nënshkrimin e saj. Sot kemi një deklaratë të ministrit përgjegjës që thotë se puna për finalizimin e kontratës vazhdon. Kjo kërkon sqarim publik.
Nëse kontrata nuk është firmosur, qeveria duhet të shpjegojë pse kanë kaluar afro katër muaj nga shpallja e fituesit. Nëse është firmosur një dokument dhe tani palët po finalizojnë elemente të tjera kontraktuale, Ministria duhet të publikojë dokumentin, datën, vlerën përfundimtare, afatet dhe detyrimet e palëve. Nëse procesi ka ngecur te projekti teknik, qeveria duhet të tregojë çfarë po ndryshon dhe pse këto çështje nuk morën zgjidhje përpara shpalljes së fituesit.
Milot-Balldren nuk është një tender i zakonshëm. Qeveria po angazhon qindra milionë euro për një nga akset kryesore të veriut dhe ka zgjedhur një model koncesionar afatgjatë. Për këtë arsye, katër muaj pa një kontratë të finalizuar dhe pa një datë publike për hapjen e kantierit nuk mund të kalojnë me formulën “vijon puna”.
Vetë Ministria dha një tjetër provë më 27 gusht. Kur Karakaçi renditi projektet infrastrukturore, ai i quajti bypass-in e Tiranës, bypass-in e Elbasanit, Elbasan-Qafë Thanë dhe Elbasan-Rrogozhinë “kantieret që kemi hapur”. Milot-Balldrenin e futi në një kategori tjetër, mes projekteve “në rrugën e zbatimit”.
Më 23 shtator dallimi u bë edhe më i qartë. Për bypass-in e Elbasanit ministri tha se segmentet e para “janë kontraktuar dhe kanë nisur punimet”. Për Milot-Balldrenin tha se po finalizohet kontrata dhe projekti teknik.
Pra nuk kemi të bëjmë me një lojë fjalësh. Një projekt ka kontratë dhe punime. Tjetri ka fitues, por ende pret finalizimin e kontratës dhe të projektit teknik.
Edhe dokumentacioni i procedurës parashikon faza të përcaktuara për projektin e zbatimit, shpronësimet, përgatitjen e kantierit dhe ndërtimin. Afati maksimal për shërbimet dhe zbatimin e projektit arrin në 30 muaj.
Pikërisht këtu lind edhe një problem tjetër. Kur fillon të ecë ky afat? Nga shpallja e fituesit? Nga nënshkrimi i kontratës? Nga dorëzimi i sheshit? Apo nga një datë tjetër që publiku ende nuk e njeh?
Katër muaj pas shpalljes së fituesit, qytetarët nuk kanë nevojë për një tjetër deklaratë se “puna vijon” për përfundimin e kontratës. Ministria e Infrastrukturës duhet të publikojë kontratën dhe të japë një kalendar të verifikueshëm: datën e nënshkrimit, hyrjen në fuqi, dorëzimin e sheshit, fillimin e punimeve dhe përfundimin e tyre.
Aq më tepër që më 5 qershor vetë Enea Karakaçi premtoi se do të angazhohej që ndërtimi të fillonte sa më shpejt. Kanë kaluar afro katër muaj. Për momentin, Milot-Balldreni mund të përmblidhet me një shprehje shumë më të vjetër se PPP-të e Edi Ramës: ‘prit gomar të dali bar’./Pamfletiautostrada milot- balldren prit gomar të dali bar Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Industria hyn në cikël të gjatë rënës! 26 Shtator 2026, 07:5407:54Ekonomi Kursi i këmbimit 26 Shtator 2026, zbuloni me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja për ditën e sotme 26 Shtator 2026, 07:1507:15Ekonomi Këmbimi valutor 25 shtator 2026! Zbuloni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 25 Shtator 2026, 07:2307:23Ekonomi Kursimtare apo me më pak para? Familjet me kryefamiljare gra shpenzojnë 20 mijë lekë më pak 24 Shtator 2026, 07:2507:25Ekonomi Kursi i këmbimit 24 Shtator 2026, zbuloni me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja për ditën e sotme 24 Shtator 2026, 07:1507:15Ekonomi BSH-ja ngre alarmin: Kujdes me kreditë për shtëpi dhe sulmet kibernetike 23 Shtator 2026, 17:4817:48Ekonomi

