Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e Raiffeisen Bank, e ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Sipas raportimeve, autori ka hyrë në ambientet e bankës me fytyrën e mbuluar me një shall, për të shmangur identifikimin, dhe i ka drejtuar armën arkëtares, duke ia vendosur në kokë dhe duke e detyruar t’i dorëzonte paratë.
Në momentin që është drejtuar për nga dalja, grabitësi ka kërcënuar me armë edhe rojën e sigurisë, duke e mbajtur nën kontroll dhe duke e penguar të ndërhynte. Pas grabitjes, ai dyshohet se është larguar me një monopatinë elektrike, në drejtim të stadiumit “Dinamo”.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar mbi shumën e parave të grabitura, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për kapjen e personit përgjegjës.

