Detaje të rënda po dalin në dritë nga hetimet për sulmin me armë zjarri në Krakov të Polonisë, ku bilanci tragjik ka arritur në gjashtë viktima dhe 16 të plagosur.
Në qendër të hetimeve është 25-vjeçari Michał Oksiński, i identifikuar si autori i dyshuar i sulmit, i cili mësohet se ka mbetur edhe vetë i plagosur rëndë gjatë ngjarjes.
Një tjetër zbulim tronditës është bërë në banesën ku i riu jetonte me familjen. Policia polake ka gjetur tre persona të pajetë, të cilët dyshohet se janë vrarë me armë zjarri. Bëhet fjalë për babanë 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 20-vjeçare të të dyshuarit.
Ndërkohë, nga sulmi në Krakov kanë humbur jetën gjithsej gjashtë persona, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në spital, ndërsa 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Pesë prej tyre dyshohet se janë shtetas të huaj.
Zëvendësinspektori Andrzej Fijolek, zëdhënës i shefit të Policisë polake, ka deklaruar për televizionin TVN24 se bilanci i viktimave mbetet i pandryshuar dhe se gjendja e të plagosurve të tjerë nuk është përkeqësuar.
Sipas mediave polake, 25-vjeçari nuk rezultonte me precedentë penalë dhe jetonte me familjen në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, rreth dy orë larg Krakovit.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se i riu ishte anëtar i një poligoni qitjeje. Një fqinj i familjes ka treguar për TVN24 se kishte parë shpesh babanë dhe djalin të largoheshin së bashku me makinë, të veshur me uniforma kamuflazhi dhe me çanta në duar.
Megjithatë, fqinji ka deklaruar se asgjë në sjelljen e tyre nuk i kishte ngjallur dyshime dhe se nuk do ta kishte imagjinuar kurrë që 25-vjeçari mund të përfshihej në një ngjarje të përmasave të tilla.
