Lajme Zone
Atje në Vuno e Palasë kujtoni Zahon dhe Ramizenë, sepse “djalli” është armik i betuar i Dashurisë në çdo kohë!
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Atje në Vuno e Palasë kujtoni Zahon dhe Ramizenë, sepse “djalli” është armik i betuar i Dashurisë në çdo kohë!

Historia e dashurisë mes dy partizanëve që u konsumua, u gjykua dhe u ekzekutua tragjikisht nën justifikimin e “moralit komunist” aty, nën yjet dhe gurët e Vunoit dhe Palasës. 7 burra dënuan me vdekje partizanen e dashuruar

Vunoi e Palasa janë “zemra” gulçuese e pushimeve shqiptare. Të rinj e të reja përvit mbushin me ëndrra dhe gjallëri ato anë të bukura të Shqipërisë, por ndoshta jo shumë prej tyre njohin historinë e dashurisë që qëndron e vrarë, si një re puplore e pikëlluar, si kurban i njerëzve që më pas do të krijonin Shtetin e ri komunist shqiptar. Në muajt e ftohtë të 1943-s dhe në acarin e fillimit të 1944-s Partia pat çuar tamam në Vuno e Palasë një njeri me emrin Xhaka, Ramadan Xhangollin, që të përgjonte dy shokë partizanë. Jo partizanë dosido, por përgjegjësen e rekrutimit të të rinjve partizanë, Ramize Gjebrenë dhe nënkomisarin e Bigadës së V-të, Zaho Kokën. Flitej se ata kishin rënë në dashuri. Flitej se ata bënin dashuri nën mbulesa dhe ky ishte një “skandal” që prekte dhe moralin e atëhershëm komunist. Ndryshe nga sa flitej për të rinjtë komunistë kudo në botë, të cilët ishin edhe liberalë, edhe të lirë për të dashuruar kundër konservatorizmit të shoqërisë së atyre viteve, partizanët në Shqipërinë tonë, dukej se kishin moralin më të ngurtë edhe se sa në kohë të Inkuizicionit. Ose, ndoshta, me moral vishnin thjeshtë xhelozi apo eliminime rivalësh që mund të pengonin apo vështirësonin “kalërimin” e tyre si fitues, drejtues dhe gllabërues të Udhëheqjes që do ta mbante të mbyllur, të izoluar e të bunkerizuar për 45 vite rresht të gjithë Shqipërinë. “I dërguari” Xhaka flinte krah Ramizesë dhe Zahos në ato netë të ftohta të 1943; dëgjonte e mbante shënim çdo psherëtimë, çdo përkëdheli, çdo këngë dashurie që këndonin, çdo të qeshur, dhe me letrat e tij dërguar Nexhmije Hoxhës e Partisë, i çoi të dy të rinjtë në gjyqin partizan: Ramizenë në dënim me pushkatim, ndërsa Zahon (maskilizëm që gjykonte gratë si fajtore) në shkarkim nga detyrat në Parti. LEXO EDHE:‘Enver Hoxha nuk donte që t’i kishte në teritorin shqiptar këta refugjatë grekë komunistë’, ana e panjohur e ‘Provokacioneve të gushtit 1949' Gazetarja Admirina Peçi për Shqiptarja.com ka bërë një Dossier të plotë rreth historisë, ditareve, letrave dhe procesit më të turpshëm gjyqësor që mbeti secret për vite me radhë e që njollosi luftën partizane të Shqipërisë së atëhershme, materiale që gjenden edhe në arkivin online të Shqiptares. Shtatë burra, partizanë dhe elita e atëhershme firmosën dënimin me vdekje të Ramizesë së dashuruar: Hysni Kapo, Manush Myftiu, Shefqet Peçi, Hito Çako, Bilbil Klosi, Pajo Islamaj, Ramadan Xhangolli, të gjithë siguruan një karrierë shumë të mirë në vitet që do të vinin më pas në Shqipërinë komuniste të izoluar. Pushkatimi i Ramize Gjebresë, partizania që i kishte rënë kryq e tërthor gjithë Shqipërisë për të bërë që të rinjtë të dashuroheshin me kauzën e komunizmit, ra viktimë e xhelozisë dhe intrigave më të ulëta për Dashurinë e vërtetë. Me ekzekutimin e saj, drejtuesit partizanë të asaj kohe, përfshi Enver Hoxhën dhe Nexhmijen që edhe pse nuk ishin mes firmëtarëve të drejtpërdrejtë, (por nga arkivi i letërkëmbimeve ishin të superinformuar), vulosën atë që do të vinte më pas për Shqipërinë: Një kohë e çmendur, pa dashuri, me bunkerë, izolim dhe dënime pa mëshirë. Shpeshherë “djalli” qëndron në detajet e fshehura të Historisë, sidomos, “djalli” është armik i përbetuar i Dashurisë. a.m./Shqiptarja.com TAG: Ramize Gjebrea zaho koka hysni kapo Bilbil Klosi Manush Myftiu enver hoxha Nexhmie Hoxha shefqet peci Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.9 / 5 (15 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

15 Gusht, 13:45

Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 59.6% Shoqëria 23.4% Social media 17.1% Vota total: 539 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?