Biznesmeni dhe ish-gazetari-botues italian Valter Lavitola është arrestuar në kuadër të hetimeve për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, drejtuesit të emisionit të njohur të RAI-t, “Report”. Sipas mediave italiane, masa e arrestit është lëshuar nga Gjykata e Romës, pas kërkesës së Prokurorisë, e cila dyshon se Lavitola ka organizuar sulmin ndaj gazetarit.
Atentati ndodhi në tetor 2025, pranë banesës së Ranuccit në Pomezia, në afërsi të Romës. Sipas hetuesve, Lavitola dyshohet se ka ideuar planin dhe ia ka besuar bashkëpunëtorit të tij, Klesio Gomez Tavares, detyrën për të gjetur personat që do të realizonin sulmin dhe për të siguruar lëndën shpërthyese.
Katër persona të tjerë, të dyshuar si ekzekutorët e sulmit, ndodhen tashmë në burg. Ata akuzohen për përdorim të lëndëve shpërthyese, kërcënim dhe dëmtim, ndërsa hetuesit dyshojnë se kanë vepruar me metoda mafioze.
Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë analizuar tabulatet telefonike, lëvizjet e automjeteve dhe telefonat celularë të të dyshuarve. Sipas Prokurorisë, këto të dhëna kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të tyre dhe kanë vënë në pikëpyetje alibitë e paraqitura pas sulmit.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se persona të lidhur me atentatin kanë kryer vëzhgime pranë banesës së Ranuccit përpara shpërthimit.
Lavitola i ka mohuar akuzat. Ai ka deklaruar se ishte mik i Ranuccit dhe ka kundërshtuar përfshirjen e tij në sulm. Ai pritet të merret në pyetje gjatë procedurave të mëtejshme.
Megjithatë, motivi i saktë i atentatit mbetet ende i paqartë. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista për të kuptuar se çfarë mund të ketë shtyrë autorët të shënjestronin gazetarin investigativ dhe nëse Lavitola ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në organizimin e sulmit.
Ranucci është një prej figurave më të njohura të gazetarisë investigative në Itali dhe drejton prej vitesh emisionin “Report”, i cili trajton çështje të korrupsionit, krimit të organizuar dhe aferave politike e ekonomike. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

