Erkan Nika, 28 vjeç, është i riu shqiptar që rezulton i zhdukur pas sulmit me dronë ndaj anijes së mallrave M/V Aroyat, ku punonte si inxhinier i dytë. I riu, me origjinë shqiptare dhe banues në Stamboll të Turqisë, ishte pjesë e ekuipazhit të anijes që u godit më 25 shtator 2026, në Detin e Zi, rreth 102 kilometra larg bregdetit rus, sipas të dhënave të bëra publike nga familja. Anija nuk u mbyt, ndërsa pas sulmit ekuipazhi u evakuua me helikopterë rusë.
Pavarësisht kërkimeve në të gjitha hapësirat e anijes, përfshirë dhomën e motorëve, Erkan Nika nuk u gjet. Ai raportohet të jetë i vetmi anëtar i ekuipazhit që rezulton i zhdukur, ndërsa pjesëtarët e tjerë u dërguan në Novorossiysk të Rusisë. Ende nuk ka informacion të konfirmuar për vendndodhjen e 28-vjeçarit, ndërsa familjarët shpresojnë të mësojnë nëse ai mund të jetë mes personave të plagosur apo të paidentifikuar në zonën e Detit të Zi.
Prej ditësh, familja e Erkanit jeton mes ankthit dhe pasigurisë, në pritje të një përgjigjeje për fatin e të riut. Babai i tij, Rexh Nika, u bën apel autoriteteve shqiptare dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe vendet përreth Detit të Zi që të angazhohen në kërkime dhe të verifikojnë të dhënat për personat e paidentifikuar. Erkani është rreth 186–187 centimetra i gjatë, peshon afërsisht 100 kilogramë, ka flokë kafe të çelët dhe sy ngjyrë lajthie. Familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij dhe pret çdo informacion që mund të çojë në zbardhjen e zhdukjes.

