Taulant Toma, shqiptari 42-vjeçar i cilësuar si “Mjeshtri i Arratisjeve”, është arrestuar në Tarragona të Spanjës, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia Kombëtare spanjolle. Toma, i cili kishte arritur të arratisej nga katër burgje të ndryshme, tre në Itali dhe një në Belgjikë, u kap të premten në lagjen Campclar. Sipas autoriteteve, ai ndodhej në Spanjë që prej janarit dhe përdorte dokumente të falsifikuara. Në momentin e arrestimit, Toma ka bërë rezistencë. Një prej personave që ndodhej me të ka hedhur një pistoletë të tipit Sig Sauer në disa shkurre, e cila më pas është gjetur nga policia katalanase. Rreth gjashtë oficerë kishin ndjekur lëvizjet e tij për disa ditë. Hetuesit e identifikuan përmes përshkrimit fizik, veçanërisht tatuazheve dhe një shenje të thellë në faqen e djathtë. Toma kreu arratisjen e parë në vitin 2009, kur ishte 25 vjeç dhe vuante dënimin për grabitje të armatosur në një burg në Terni të Italisë. Ai u largua përmes një vrime në rrjetën e oborrit dhe përdori çarçafë për të kaluar murin. Katër vjet më vonë, më 2 shkurt 2013, ai u arratis sërish, këtë herë nga një burg në Parma. Së bashku me një bashkatdhetar dhe shokun e qelisë, Toma preu hekurat e qelisë dhe përdori çarçafë për të kaluar murin rrethues. Në shtator të po atij viti u arrestua në Belgjikë, por edhe atje arriti të arratisej. Më 14 dhjetor 2013, nga burgu Lantin, ai u largua pasi bashkëpunëtorët e tij morën peng një oficer burgu dhe krijuan kaos në oborr. Toma përdori një “piramidë njerëzore” për të kapërcyer murin e burgut dhe më pas u largua me një automjet që e priste jashtë. Ai u arrestua në vitin 2015 dhe në vitin 2019 u ekstradua në Itali. Arratisjen e katërt dhe të fundit e realizoi në dhjetor të vitit 2025 nga burgu i sigurisë së lartë Opera, në Milano. Edhe këtë herë ai përdori mjete të improvizuara për të prerë hekurat, çarçafë për t’u zbritur nga muri dhe një shkop të improvizuar për të kapërcyer barrierat. Tashmë Toma mbahet në burgun Mas d’Enric në Spanjë, ndërsa Gjykata Kombëtare po procedon ekstradimin e tij drejt Italisë, ku e pret një dënim i gjatë. Policia spanjolle vijon gjithashtu kërkimet për një bashkëpunëtor të Tomës, i cili dyshohet se sulmoi efektivët gjatë arrestimit./ElPais Kush është Taulant Toma, i arratisur 4 herë nga bugjet italiane me pseudonimin “UFO”

