Meta, gjiganti i rrjeteve sociale, ka arritur një marrëveshje historike jashtëgjyqësore me shtetet amerikane për t’i dhënë fund një çështjeje ligjore që lidhet me sigurinë e të miturve në Facebook dhe Instagram. Marrëveshja synon të zgjidhë akuzat ndaj kompanisë së Mark Zuckerberg se platformat e saj krijojnë varësi te të rinjtë.
Kompania teknologjike do të paguajë deri në rreth 18 miliardë dollarë, nga të cilat 2,2 miliardë dollarë vetëm për Kaliforninë, si dhe do të duhet të vendosë rregulla të reja për përdoruesit adoleshentë. Pagesat do të shpërndahen përgjatë një periudhe 10-vjeçare.
Meta ka pranuar t’i japë fund lëvizjes së pafundme të përmbajtjeve (“infinite scroll”) dhe të vendosë një kufi përdorimi prej dy orësh në ditë për Instagram dhe Facebook.
Për të shmangur përdorimin kompulsiv dhe çrregullimet e gjumit, kompania do të kufizojë përdorimin e platformave nga mesnata deri në orën 06:00, ndërsa njoftimet do të çaktivizohen nga ora 22:00 deri në 07:00.
Meta do të kufizojë gjithashtu funksione që psikologët i lidhin me krahasimet negative sociale, si filtrat e bukurisë dhe numërimi i pëlqimeve (“Like”). Kompania do të forcojë gjithashtu mjetet për verifikimin e moshës dhe kontrollet prindërore.
Marrëveshja parashikon një pagesë fillestare prej 12,7 miliardë dollarësh nga Meta për financimin e nismave që synojnë rritjen e sigurisë së të rinjve në internet.
Kompania është angazhuar gjithashtu të paguajë edhe 5,3 miliardë dollarë të tjerë, në rast se dy konkurrentët e saj, YouTube dhe TikTok, miratojnë politika të reja. Kompania e Zuckerberg u ka bërë thirrje YouTube dhe TikTok të ndjekin të njëjtin shembull.
“Marrëveshja që kemi negociuar do t’u mundësojë prindërve të menaxhojnë me lehtësi aksesin e fëmijëve të tyre në platformat tona”, deklaroi në një njoftim CJ Mahoney, drejtuesi ligjor i Meta-s.
“Por suksesi i saj varet nga fakti nëse të gjitha platformat e tjera të rrjeteve sociale do të ndjekin shembullin e Meta-s”, shtoi ai.
Marrëveshja, e cila praktikisht i jep fund procesit gjyqësor, u arrit gjatë javës së dytë të gjyqit në Gjykatën Federale të Oakland-it, ku Kalifornia, Kolorado, Kentucky dhe New Jersey kërkonin rreth 200 miliardë dollarë për dëmet që pretendohej se Meta u kishte shkaktuar të miturve.
Marrëveshja nuk përmban pranim të fajësisë dhe duhet të miratohet nga gjyqtarja Yvonne Gonzalez Rogers.
Shuma e dëmshpërblimit është një nga më të lartat që një kompani teknologjike u ka paguar ndonjëherë shteteve amerikane. Megjithatë, kompania e Zuckerberg vazhdon të përballet me një numër të madh padish të ngritura nga distrikte shkollore dhe qytetarë privatë.
Vetëm muajin e kaluar, Meta deklaroi se kishte shpenzuar 2 miliardë dollarë gjatë tremujorit të dytë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të saj ligjore.
29 shtetet që ngritën çështjen kundër Meta-s e akuzonin kompaninë se ishte në dijeni të dëmeve të mundshme të shkaktuara nga algoritmet dhe rrjetet e saj sociale, por nuk kishte bërë mjaftueshëm për t’i kufizuar ato, duke vendosur fitimet përpara mirëqenies së të miturve.
Mbrojtja e Meta-s, nga ana tjetër, ka argumentuar vazhdimisht se nuk ekzistojnë prova shkencore që vërtetojnë varësinë e krijuar nga rrjetet sociale. Kompania është mbështetur gjithashtu në një ligj federal amerikan që i përjashton platformat nga përgjegjësia për përmbajtjet e publikuara nga përdoruesit.
Pas lajmit për arritjen e marrëveshjes, aksionet e Meta-s u rritën me më shumë se 4% në tregtimin para hapjes së bursës. Top Channel

