Një 36-vjeçar nga Shkodra, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar në Spanjë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas shkëmbimit të informacionit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit. Sipas Policisë, bëhet fjalë për shtetasin Armando Ndreu 36 vjeç, lindur në Shkodër, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet se në mars të vitit 2022, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një subjekti në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës. Nga të shtënat u shkaktuan vetëm dëme materiale. 36-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Madrid për të përfunduar procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

