Lajme Zone
Arresti i ish-kreut të SHISH, të hënën mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare! PD: Socialistët mbrojnë Hysenin! PS: Përgjegjësia personale
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Arresti i ish-kreut të SHISH, të hënën mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare! PD: Socialistët mbrojnë Hysenin! PS: Përgjegjësia personale

Presidenti Begaj pritet të mbledhë të hënën Këshillin e Sigurimit Kombëtar pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, e dyshuar për nxjerrje të informacioneve sekrete në favor të Ergys Agasit. Ndërsa Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkon që Begaj të sqarojë çfarë verifikimesh u kryen përpara dekretimit të Hysenit.

Të hënën, herët në mëngjes rreth orës 8:30, në Pallatin e Brigadave do të hyjnë krerët e shtetit dhe institucioneve kryesore të sigurisë në mbledhjen e Këshillin e Sigurimit Kombëtar. E thirrur nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në mbledhje ku pritet të jetë edhe Kryeministri Rama, pritet të vlerësohet situata e krijuar për sigurinë kombëtare pas masës së arrestit ndaj ish-shefes së Shërbimit Informativ Vlora Hyseni, e cila dyshohet se është kompromentuar duke kaluar informacione sekrete kreut të një grupi kriminal si Ergys Agasi. Ligji e përcakton qartë se kush janë anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar i cili përbëhet nga titullarët e 13 institucioneve dhe kryesohet nga presidenti i Republikës. Ligji parashikon se Presidenti Begaj mund të ftojë edhe persona të tjerë në mbledhje që lidhen me fushën diskutimeve. Në të kaluarën presidenti i Republikës ka ftuar edhe përfaqësues të opozitës në mbledhjen e këshillit. LEXO EDHE:U sulmua me vezë nga protestues në New York, reagon Rama: Flamurin kombëtar e kam ngritur më lart se kurrë, asgjë s’më ndal për ta çuar në majën e BE Kryeministri Rama pritet të jetë në mbledhje pasi do të kthehet gjatë ditëve të ardhshme nga Shtetet e Bashkuara ku po qëndron në kuadër të Asamblesë së 81 të përgjithshme të OKB-së. Por çështja e Vlora Hysenit vijon të dominojë debatin politik në vend. Në Komisionin e Kulturës në parlament deputetja demokrate Ina Zhupa hodhi akuza ndaj socialistëve për mbrojtje të ish-shefes së SHISH. "Normalitet këtu nuk ka. Unë respektoj faktin që është një kërkesë e Bashkimit Europian ky ligj, por këtu po digjen themelet e shtetit. Këtu është djegur çdo rregullore, këtu është djegur Kushtetuta. Kur gjithë krerët më të rëndësishëm të institucioneve vihen në shërbim të krimit, çfarë ka këtu gjë tjetër për rendin dhe sigurinë?", tha Ina Zhupa. Nga ana tjetër socialistët iu rikthyen edhe një herë qëndrimit të tyre të vjetër, se përgjegjësia penale është individuale. "Ne me drejtësinë nuk kemi asnjë punë. Ajo është në punën e saj dhe kushdo që do të provohet i fajshëm duhet të përgjigjet personalisht për gjithçka ka bërë. Një person me ligj prezumohet i pafajshëm deri në momentin që provohet i fajshëm. Dhe ju lutem, mos e përdorni dhunën sepse vetëm i hidhni benzinë zjarrit”, tha Malaj. Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se Presidenti Begaj duket tu përgjigjet disa pyetjeve para se të mbledhë këshillin që ai quan si “këshillin e sigurimit të Gysit” duke iu referuar Ergys Agasit “Mbi çfarë verifikimesh u mbështet vendimi për dekretimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH? Çfarë verifikoi Presidenti dhe çfarë nuk verifikoi institucioni i Presidentit përpara dekretimit?”, shkroi Bardhi. Gazment Bardhi thotë gjithashtu se presidenti duhet të përgjigjet për pretendimet se betimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Asim Vokshi është vonuar për llogari të Agasit. ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMITKëshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.1. Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi2. Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama3. Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi4. Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha5. Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu6. Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo7. Ministria përgjegjëse për Financat; Erion Malaj8. Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi9. Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij; Bledar Çuçi,11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 15:14 'Edi Rama duhet të arrestohet', Blushi: Përgjegjësia për SHISH nuk mbaron te drejtorët Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i bëri thirrje SPAK që të hetojë edhe kryeministrin Rama të cilin ai e konsideron në krye të hallkës së përgjegjësive për atë ndodhi me ish drejtoreshën e SHISH e marrë nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete."Përgjegjësia penale për kapjen totale të shtetit nga mafia nuk mund të ndalet te një drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit, te një drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit apo apo te një tjetër hallkë e këtij mekanizmi mafioz që ka kapur për fyti të gjitha institucionet.Përgjegjësia penale duhet të ndjekë zinxhirin komandues të organizatës kriminale deri në krye. Dhe në krye të organizatës së strukturar kriminale është Edi Rama.Tani para të gjithë shqiptarëve është faktuar se si me autorizimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, drejtuesit më të lartë të shtetit, ministra, deputetw drejtorë të SHISH, AKSHI-it, Kadastrës, drejtorë policie e me radhë detyroheshin të raportonin te koordinatori i krimit, Ergys Agasi.Ndaj edhe arrestimi i drejtoreshës së SHISH nuk mjafton.Një hetim serioz nuk mund të ndalet aty ku fillon përgjegjësia e Edi Ramës. Duhet të ndjekë provat deri në fund.Nëse SPAK heton vetëm hallkën, duke hetuar dhe arrestuar ushtarët, por nuk heton arkitektin, kapon e organizatës kriminale, nuk ka zbardhur skemën, por ka shpallur mbrojtjen e tij.Prandaj kërkesa jonë është e qartë, SPAK duhet ta ndjekë përgjegjësinë penale deri te Edi Rama, i cili duhet të merret pa vonesë i pandehur.Jo sepse këtë e kërkon opozita, por sepse çdo hetim serioz duhet të ndjekë zinxhirin e përgjegjësisë atje ku të çojnë provat.Edi Rama ka ndërtuar, kontrolluar dhe mbrojtur mekanizimin e kapjes së shtetit nga mafia, dhe të inkriminimit të çdo qelize në institucionet e shtetit.Siguria e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, buxheti i shtetit, çdo pasuri publike dhe të dhënat personale të shqiptarët janë dorëzuar në duart e krimit.Edi Rama duhet të arrestohet sapo të zbresë në aeroport. Provat se ai dhe vetëm ai është kryetar i kësaj organizate kriminale janë sot në dritë të diellit.Të hënën mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, të një vendi anëtar të NATO-s, ku është shembur e gjithë arkitektura e shtetit, ku institucionet e sigurisë janë dorëzuar të gjitha në duart e mafias, përfshi edhe Mbrojtjen që ndodhet në duart e Ron Yeffet.Mbledhja e një organi këshillimor është shumë e vonuar dhe e pavlerë, sepse llogaridhënia para ligjit dhe para të gjithë shqiptarëve nuk mund të suprimohet para asnjë llogaridhënie tjetër.Peshku qelbet nga koka. Pa i prerë kokën, çdo “kokë turku” është vetëm fasadë, për të shpëtuar kokën e Edi Ramës.Prandaj, nëse nuk hetohet Edi Rama, asnjë hetim, asnjë arrestim për kapjen e shtetit nga mafia nuk ka vlerë.Shporrja e Edi Ramës është më shumë se kurrë emergjencë kombëtare.Mafia ka sot shtetin e vet, por shteti do t'u kthehet shqiptarëve! Me çdo çmim! U.D/Shqiptarja.com Share Ora 13:19 Begaj mbledh të hënën Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Bardhi: Spektakël institucional! Të japë llogari për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH Pas njoftimit për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të hënën nxitur nga situata e krijuar pas arrestimit të ish shefes së SHISH, Vlora Hyseni,, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka intensifikuar akuzat ndaj presidentit Bajram Begaj duke i kërkuar atij të ‘lërë spektaklin institucional’ dhe të japë përgjigje për skandalin që ka cënuar sigurinë kombëtare.Në argumentat e tij, Bardhi thotë se mbledhja e së hënës nuk mund të përdoret si zëvendësim për llogaridhënie dhe se si presidenti Begaj ashtu edhe kryeministri Rama duhet të përgjigjen për emërimin e Hysenit në krye të SHISH. Postimi i plotë i Gazment Bardhit "NUK KA NEVOJË PËR SPEKTAKËL INSTITUCIONAL. SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR PËRGJIGJE.Pas zhvillimeve të rënda në Shërbimin Informativ të Shtetit dhe situatës së krijuar pas vendosjes së drejtores së këtij institucioni nën masën e arrestit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pritet të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar javën e ardhshme. Por shqiptarët nuk kanë nevojë për një mbledhje formale dhe as për një shfaqje institucionale. Ata nuk kanë nevojë që të mblidhet Këshilli i Sigurimit të Gysit. Qytetarët kanë nevojë për përgjigje konkrete.Pyetja e parë dhe më e rëndësishme që i drejtohet Bajram Begajt është e thjeshtë:MBI ÇFARË VERIFIKIMESH U MBËSHTET VENDIMI PËR DEKRETIMIN E VLORA HYSENIT NË KRYE TË SHISH?Bajram Begaj duhet t’u shpjegojë shqiptarëve, në mënyrë të plotë dhe transparente, se çfarë informacioni, verifikimesh dhe procedurash janë ndjekur përpara emërimit të saj në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Opozita kishte ngritur publikisht pikëpyetje dhe shqetësime lidhur me këtë emërim. Sot, pas zhvillimeve të fundit, këto pikëpyetje kërkojnë përgjigje të menjëhershme institucionale.ÇFARË VERIFIKOI PRESIDENTI DHE ÇFARË NUK VERIFIKOI INSTITUCIONI I PRESIDENTIT PËRPARA DEKRETIMIT?Kjo është një pyetje që nuk mund të anashkalohet. Po aq serioze janë pyetjet që lidhen me sigurinë e informacionit të klasifikuar, burimeve njerëzore dhe informacionit sensitiv që administron SHISH. Nëse ekziston apo ka ekzistuar një rrezik që informacionet e këtij institucioni, identitetet e burimeve apo të informatorëve të jenë ekspozuar ndaj strukturave kriminale ose shërbimeve të vendeve jo mike, atëherë kemi përpara një çështje me pasoja potencialisht shumë të rënda për sigurinë kombëtare.Por përgjegjësia e Presidentit nuk fillon sot.Gjatë këtyre dy viteve janë ngritur publikisht pretendime dhe shqetësime serioze për mënyrën se si ka funksionuar SHISH dhe për marrëdhënie të pretenduara ndërmjet individëve të caktuar dhe strukturave të krimit të organizuar. Bajram Begaj duhet të sqarojë nëse këto shqetësime janë verifikuar ndonjëherë nga institucionet përgjegjëse dhe, nëse po, cilat kanë qenë përfundimet e këtyre verifikimeve.Nuk i kërkojmë Presidentit të ndërhyjë në hetimet e SPAK-ut apo në vendimmarrjen e gjykatave. I kërkojmë të japë llogari për përgjegjësitë e veta institucionale.EDHE ÇËSHTJA E BLLOKIMIT TË BETIMIT TË ANËTARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE PËR LLOGARI TË ERGYS AGASIT KËRKON TRANSPARENCË.Bajram Begaj duhet të shpjegojë publikisht arsyet dhe bazën institucionale të vonesës së betimit për më shumë se 47 ditë të z. Asim Vokshi dhe të sqarojë nëse kjo vonesë ka qenë pjesë e një procedure normale institucionale apo nëse ka pasur rrethana të tjera që duhet t’u bëhen të ditura qytetarëve.Pretendimet për ndërhyrje të grupeve kriminale apo ndikim të paligjshëm në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese janë tepër serioze për t’u lënë në nivelin e deklaratave politike. Ato kërkojnë transparencë dhe verifikim nga organet kompetente.Prandaj, Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk mund të përdoret si zëvendësim për llogaridhënien. Presidenti, njëlloj si Kryeministri, duhet të përgjigjet për vendimmarrjen e tij. Duhet të shpjegojë çfarë verifikoi, çfarë dinte, çfarë nuk dinte dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.Shqiptarët nuk kanë nevojë për një President që shfaqet vetëm pasi kriza ka shpërthyer. Shqiptarët kanë nevojë për një President që merr përgjegjësi, jep llogari dhe garanton se institucionet e sigurisë së Republikës nuk përdoren për interesa politike apo kriminale. Prandaj, përpara çdo mbledhjeje formale të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Bajram Begaj duhet t’u japë shqiptarëve transparencën që meritojnë.Jo propagandë. Jo formalitet. Jo heshtje. Përgjegjësi dhe transparencë" U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:30 Debat për Vlora Hysenin në Komision/ Zhupa: Krerët e institucioneve në shërbim të krimit! Malaj: Përgjegjësia penale është individuale (VIDEO) Në parlament çështja e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit Vlora Hyseni vijon të jetë temë debati. Në Komisionin e Kulturës, kryetarja e saj Ina Zhupa tha se në seancën plenare socialistët tentuan të mbronin Hysenin dhe të mos lejonin të zhvillohej debat parlamentar për të."Normalitet këtu nuk ka. Unë respektoj faktin që është një kërkesë e Bashkimit Europian ky ligj, por këtu po digjen themelet e shtetit. Këtu është djegur çdo rregullore, këtu është djegur Kushtetuta. Kur gjithë krerët më të rëndësishëm të institucioneve vihen në shërbim të krimit, çfarë ka këtu gjë tjetër për rendin dhe sigurinë?", tha Ina Zhupa.Në kundërpërgjigje deputeti socialist Erion Malaj ritheksoi se qëndrimi i shumicës parlamentare nuk ndryshon dhe se përgjegjësia penale është vetëm individuale."Ne me drejtësinë nuk kemi asnjë punë. Ajo është në punën e saj dhe kushdo që do të provohet i fajshëm duhet të përgjigjet personalisht për gjithçka ka bërë. Një person me ligj prezumohet i pafajshëm deri në momentin që provohet i fajshëm. Dhe ju lutem, mos e përdorni dhunën sepse vetëm i hidhni benzinë zjarrit”, tha Malaj. SI.E./Shqiptarja.com Share SI.E./E.H/Shqiptarja.com TAG: vlora hyseni ergys agasi keshilli i sigurise kombetare PD PS Ina Zhupa Bajram Begaj edi rama Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

22 Shtator, 16:08

Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika? Po 46.5% Jo 42% Disi 11.5% Vota total: 3832 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 22 Shtator, 16:08 Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika?