Diplomatët europianë kanë refuzuar të marrin pjesë në foton familjare me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të G20 në Atlanta të SHBA-së. Për shkak të këtij qëndrimi, organizatorët amerikanë vendosën të anulojnë fotografinë e përbashkët.
Takimi i ministrave të G20 po zhvillohet në Atlanta dhe organizohet nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ku marrin pjesë diplomatët më të lartë të ekonomive më të mëdha të botës.
Mes vendeve që refuzuan të merrnin pjesë në fotografinë e përbashkët ishte edhe Britania e Madhe. Një zyrtar britanik deklaroi se Londra ka një politikë të kahershme për të mos zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta dypalëshe me ministrat rusë që prej pushtimit të Ukrainës dhe se nuk ka ndërmend ta ndryshojë këtë qëndrim.
Njw zyrtar amerikan deklaroi se fotografia u anulua pasi u bë e qartë se disa delegacione nuk dëshironin të merrnin pjesë në një fotografi të përbashkët me përfaqësuesin rus. Sipas tij, SHBA-ja preferoi të shmangte një ceremoni që mund të kthehej në një shpërqendrim diplomatik dhe të përqendronte vëmendjen te diskutimet kryesore të takimit.
Ukraina, ndonëse nuk është anëtare e G20, është ftuar në takime të ngjashme gjatë viteve të fundit. Këtë herë, megjithatë, Kievi nuk mori ftesë për të marrë pjesë. Mungesa e Ukrainës vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Kievit dhe Uashingtonit, pas përplasjeve diplomatike gjatë këtij muaji mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës së naftës në territorin rus.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë duket se kanë shënuar një afrim të pjesshëm gjatë javëve të fundit. Trump ka pezulluar disa sanksione ndaj Moskës dhe ka miratuar një marrëveshje për importimin e naftës dizel ruse në tregun amerikan. Vendimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan po përpiqet të ulë çmimet e karburanteve në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit, të parashikuara në fillim të nëntorit, pas muajsh presioni politik të lidhur me luftën në Iran. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

