Një krizë e rëndë politike dhe institucionale ka përfshirë Poloninë, pas përshkallëzimit të konfliktit për kontrollin e Gjykatës Kushtetuese mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidencës së Karol Nawrockit.
Situata u tensionua të premten, pasi policia hyri në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kryetari i saj, Bogdan Swieczkowski, u pezullua nga detyra. Zhvillimet shkaktuan reagime të forta dhe akuza për ndërhyrje të paligjshme në institucionet e drejtësisë. Për shkak të situatës, presidenti polak Karol Nawrocki ndërpreu vizitën zyrtare në Senegal dhe vendosi të kthehej urgjentisht në Varshavë. “Në një moment si ky, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po ndërpres udhëtimin tim drejt Senegalit. Po kthehem”, deklaroi Nawrocki në një reagim të publikuar në rrjetin social X. Ndërkohë, kryeministri Donald Tusk mbrojti veprimet e qeverisë, duke theksuar se rivendosja e shtetit të së drejtës është një detyrim institucional. Sipas policisë polake, ndërhyrja në ambientet e gjykatës u krye pas incidenteve të regjistruara jashtë institucionit, ku ndaj efektivëve u hodhën objekte të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese njoftoi në faqen e saj zyrtare pezullimin e kryetarit Bogdan Swieczkowski. Megjithatë, përfaqësues të institucionit kundërshtuan ligjshmërinë e vendimit. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, gjykata pretendoi se faqja e saj zyrtare ishte marrë në mënyrë të paligjshme dhe këmbënguli se Swieczkowskivijon të jetë kryetar legjitim i institucionit.
Në të njëjtin reagim, veprimet e personave të përfshirë u cilësuan si vepra penale e tentativës për grusht shteti. Kriza aktuale është rezultat i një konflikti të gjatë mes qeverisë së Donald Tusk dhe forcave politike të lidhura me ish-qeverinë nacional-konservatore të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Gjatë viteve në pushtet, PiS ndërmori reforma të gjera në sistemin gjyqësor, të cilat shkaktuan përplasje me Bashkimin Europian për shkak të shqetësimeve mbi pavarësinë e drejtësisë dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Përplasja u thellua edhe më tej pas zgjedhjes së gjashtë gjyqtarëve të rinj nga shumica parlamentare. Presidenti refuzoi të betojë tre prej tyre, ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk lejoi që gjyqtarët e zgjedhur nga shumica aktuale parlamentare të merrnin pjesë në punën e institucionit. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

