Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar sërish probleme në Durrës, ku disa zona janë përballur me prezencë të madhe uji në rrugë, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Mes zonave të prekura është edhe Lagjja nr. 17, ku një banor i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur shqetësimin lidhur me gjendjen e kanalizimeve.
Sipas tij, banorët kanë bërë disa herë ankesa pranë bashkisë për problematikat me kanalizimet dhe shqetësime të tjera, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë reagim konkret.
Banori shprehet me ironi, duke falënderuar kryetaren e Bashkisë së Durrësit për mënyrën se si janë lënë kanalizimet, të cilat, sipas tij, nuk kanë mundur të përballojnë as 45 minuta reshje shiu.
”Mirëmëngjes JOQ, jam një banor i lagjes 17 në Durrës. Doja ta falenderoja shumë kryetaren e Durrësit që na i rregulloi kanalizimet gjithë verën se me 45 minuta shi u mbush plot”.
Situata e krijuar rikthen edhe një herë në vëmendje problematikën e përmbytjeve në qytetin bregdetar, ku pasojat e reshjeve bëhen të dukshme brenda një kohe të shkurtër.
Ndërkohë, reshjet kanë sjellë probleme edhe në zona të tjera të Durrësit, përfshirë Shkozetin, Lagjen nr. 18 dhe shëtitoren përgjatë bregdetit, ku uji ka mbuluar pjesë të rrugëve dhe hapësirave publike.
Banorët presin që shqetësimet e tyre të marrin përgjigje dhe që të ndërhyhet për zgjidhjen e problematikave me kanalizimet, për të shmangur të njëjtat situata sa herë që qyteti përballet me reshje intensive.

