Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, ka konfirmuar më 9 tetor se në vendin e tij janë arrestuar disa shtetas rusë, mes tyre edhe Mikhail Zvinchuk, themelues i rrjetit rus Rybar. Në një postim në rrjetet sociale, Spajiç e cilësoi aksionin të suksesshëm dhe theksoi se prej kohësh është paralajmëruar se përpjekjet për veprimtari hibride dhe destabilizimin e Malit të Zi e shoqërojnë vazhdimisht rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. LEXO edhe...Operacion masiv anti-drogë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor dhe Spanjë, arrestohen 50 persona “Ky nuk është momenti për deklarata të nxituara, por as për përfundime naive. Ekzistojnë indicie serioze që kërkojnë shqyrtimin e kujdesshëm të çdo gjurme dhe vlerësimin e çdo lidhjeje në një kontekst më të gjerë. Nuk do të bëjmë publike ato që duhet të mbeten në domenin e shërbimeve të sigurisë”, shkroi ai. Sipas tij, mesazhi pas aksionit të suksesshëm të sotëm konfirmon se institucionet po e bëjnë punën e tyre. “Mali i Zi mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane”, deklaroi Spajiç. Mediat malazeze raportuan paraprakisht se Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) e këtij shteti zhvilluan një aksion në Risan, të premten në mëngjes, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona që dyshohet se janë të lidhur me rrjetin rus Rybar. Nga Rybar konfirmuan më vonë në Telegram se themeluesi i këtij rrjeti, Mikhail Zvinchuk, është ndaluar në Mal të Zi, së bashku me shtetas të tjerë rusë. Në një postim në kanalin e tij në gjuhën angleze, Rybar tha se të gjithë të ndaluarit “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar filmimi i Manastirit të Cetinës, për të cilin ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”. Rybar tha se ekipi i tij është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës, duke pretenduar se “nuk është shkelur asnjë ligj i Malit të Zi”. Rybar është një rrjet mediatik dhe informativ rus, i themeluar në vitin 2018 nga Mikhail Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për media të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u bë një nga kanalet më me ndikim ushtarake proruse në Telegram. Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës. Bashkimi Evropian thotë se ai është anëtar i një grupi pune të formuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur Rybar-in me operacionet e ndikimit të huaj dhe luftën informative. Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke përmendur dyshimet se rrjeti kishte marrë pjesë në operacione të ndikimit të huaj. Vitet e fundit, rrjeti i ka zgjeruar aktivitetet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën./ REL R.Xh/ReportTv.al mali i zi Rybar operacionet hibride ruse arrestim Komento Komente Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 60.6% Jo 32.4% Nuk e di 7% Vota total: 2301 Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
