Një ditë pas Sam Altman, drejtuesit të OpenAI, edhe Dario Amodei, bashkëthemelues dhe CEO i Anthropic, një prej kompanive kryesore amerikane të inteligjencës artificiale dhe krijuese e Claude, po kërkon frenimin e garës për zhvillimin e AI. “Duhet të ngadalësojmë ritmin me të cilin përmirësojmë aftësitë e modeleve”, shkruan Amodei në një reagim të gjatë. Ai nuk propozon ndalimin e kërkimeve apo zhvillimit të inteligjencës artificiale, por kërkon më shumë kohë për testimin, sigurinë dhe kontrollin e sistemeve të reja. Amodei nuk vë në dyshim përfitimet që mund të sjellë inteligjenca artificiale. Sipas tij, teknologjia mund të ndihmojë në trajtimin e shumë sëmundjeve dhe të përshpejtojë rritjen ekonomike. Por ai thotë se rreziqet janë “serioze” dhe kërkojnë më shumë kujdes. LEXO EDHE:Inteligjenca artificiale e rreziqet, Kuvendi gati konventën e Këshillit të Europës: Shteti t’i vërë fre algoritmit Një nga shqetësimet e tij lidhet me faktin se AI po bëhet gjithnjë e më e aftë të ndihmojë në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të sistemeve të inteligjencës artificiale. Pra, sistemet ekzistuese mund të përdoren për të ndërtuar sisteme të reja dhe më të fuqishme, duke e përshpejtuar edhe më shumë zhvillimin e teknologjisë. “Pa masa sigurie, AI mund të kontrollojë internetin brenda 6-12 muajsh”, ka paralajmëruar Amodei në një intervistë për CBS, nga e cila është publikuar paraprakisht një pjesë. Shqetësimi tjetër lidhet me incidente që janë shfaqur gjatë testimeve. Verën e kaluar, sisteme eksperimentale të OpenAI arritën të kapërcenin barrierat që duhej t'i mbanin të izoluara nga interneti dhe një prej tyre sulmoi Hugging Face, një platformë online që përdoret gjerësisht nga studiuesit dhe zhvilluesit e inteligjencës artificiale. Amodei thotë se incidente të ngjashme, megjithëse më pak serioze, kanë ndodhur edhe brenda Anthropic. Ai u kërkon të gjitha kompanive që zhvillojnë sistemet më të avancuara të AI të sillen sikur incidenti t'u kishte ndodhur atyre. Sipas tij, ekziston frika se brenda 6-12 muajve sistemet shumë më të afta mund të shkaktojnë dëme shumë më të mëdha. Paralajmërimi vjen ndërsa Anthropic ka zbuluar edhe një rast konkret të përdorimit të Claude për qëllime ushtarake. Claude është sistemi i inteligjencës artificiale i krijuar nga kompania, i ngjashëm në funksion me ChatGPT. Sipas Anthropic, një grup i lidhur me Iranin e përdori Claude për të mbledhur dhe analizuar informacione me qëllim identifikimin dhe ndjekjen e anijeve të Marinës amerikane në Lindjen e Mesme. Grupi përdori të dhëna nga pajisjet që transmetojnë pozicionin e anijeve, imazhe satelitore dhe informacione mbi dobësitë e sistemeve në bord. Anthropic thotë se e ka zbuluar dhe bllokuar operacionin. Në raportin e saj, kompania dokumenton gjithashtu përpjekje për përdorimin e Claude në sulme kibernetike, propagandë dhe kërkime biologjike potencialisht të rrezikshme. Alarmit të Amodei i parapriu këtë javë edhe ai i Jacob Coxon, një studiues 27-vjeçar që ka punuar si për OpenAI, ashtu edhe për Anthropic. Coxon dha dorëheqjen duke akuzuar dy kompanitë se po garojnë drejt krijimit të sistemeve të afta të përmirësohen në mënyrë autonome, pa e zgjidhur ende problemin se si këto sisteme mund të mbahen nën kontroll. Coxon ka ngritur madje mundësinë që inteligjenca artificiale të mund të kërcënojë mbijetesën e njerëzimit deri në fund të kësaj dekade. Përballë këtyre shqetësimeve, Anthropic ka vendosur t'ua hapë sistemet e saj ekspertëve të pavarur, duke u dhënë atyre një nivel aksesi të ngjashëm me atë që kanë punonjësit e kompanisë, në mënyrë që teknologjia të mund të testohet edhe nga jashtë. Amodei propozon gjithashtu koordinim mes kompanive kryesore të inteligjencës artificiale për të kufizuar ritmin e zhvillimit. Por kjo krijon një tjetër problem: një marrëveshje mes kompanive rivale për të kufizuar zhvillimin mund të bjerë ndesh me ligjet kundër kufizimit të konkurrencës në SHBA. OpenAI i ka kërkuar tashmë Kongresit amerikan të sqarojë se në çfarë kushtesh një bashkëpunim i tillë do të ishte i mundur. Drejtuesi i Anthropic kërkon gjithashtu që një ngadalësim i garës amerikane për AI të mos përfjë duke favorizuar Kinën. Për këtë arsye ai propozon vazhdimin e kufizimeve ndaj çipave më të avancuar që i shiten Kinës dhe forcimin e masave kundër kontrabandës së tyre. Propozimi i Amodei mori menjëherë mbështetjen e dy emrave të tjerë të mëdhenj të teknologjisë. Elon Musk shkroi në X: “Dario ka të drejtë”. Edhe Sam Altman deklaroi: “Jam dakord me Dario për nevojën për të menaxhuar ritmin e zhvillimit të teknologjive më të avancuara”. Kreu i OpenAI e quajti gjithashtu “të shkëlqyer” idenë që sistemet e AI të kontrollohen nga ekspertë të pavarur dhe njoftoi se edhe kompania e tij do të veprojë në këtë drejtim. Vetëm një ditë më parë, Altman u kishte folur punonjësve të OpenAI për mundësinë e ngadalësimit të zhvillimit të sistemeve më të avancuara, nëse këtë do ta bënin së bashku edhe kompanitë e tjera të mëdha të sektorit. Thirrja e Amodei vjen në një moment kur Anthropic po përgatitet për një dalje në bursë që mund t'i japë kompanisë një vlerësim prej të paktën 2 trilionë dollarësh. Kjo do të thotë se vetë kompania ka një interes të jashtëzakonshëm ekonomik që tregu i inteligjencës artificiale të vazhdojë të rritet. Megjithatë, ajo që po ngre pikëpyetje është seria e paralajmërimeve që po vijnë pothuajse njëri pas tjetrit. Coxon largohet nga sektori duke paralajmëruar për rreziqet; Altman deklaron se është i gatshëm të ngadalësojë zhvillimin; një ditë më vonë Amodei kërkon të njëjtën gjë dhe Musk i jep të drejtë. Bëhet fjalë për njerëz me interesa dhe qëndrime shumë të ndryshme, por që i njohin nga brenda sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale. Kjo nuk do të thotë se ata kanë zbuluar ndonjë rrezik specifik për të cilin pjesa tjetër e botës nuk di asgjë. Por ngre një pyetje: pse pikërisht tani disa nga protagonistët kryesorë të garës së AI, të cilët kanë çdo interes për të ecur sa më shpejt, po kërkojnë më shumë kohë? Në të njëjtën kohë, Demis Hassabis, bashkëthemelues i Google DeepMind dhe fitues i Çmimit Nobel në Kimi në vitin 2024, ka propozuar krijimin e një sistemi ndërkombëtar për mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale. Si model ai sugjeron Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, organizata ndërkombëtare që mbikëqyr aktivitetet bërthamore. Sipas propozimit, një organizëm i përbërë nga ekspertë të pavarur do të kishte për detyrë të vlerësonte sistemet më të fuqishme të inteligjencës artificiale dhe të koordinonte vendet përballë rreziqeve të mundshme./CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com TAG: sam altman Dario Amodei Anthropic Open Ai inteligjenca artificiale Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.2% Magjistratëve 15.7% Nuk e di 6.1% Vota total: 6653 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

