Lajme Zone
Plarent Ndreca: Kur pushteti politik abdikon ndaj atij gjyqësor
PolitikëShqiptarja

Plarent Ndreca: Kur pushteti politik abdikon ndaj atij gjyqësor

Kur një pushtet, për t’i imponuar interesin e anëtarëve të tij një pushteti tjetër, përdor forcën që Republika i ka dhënë për t’u shërbyer qytetarëve, kemi hyrë në territorin e një “vetëgjyqësie” institucionale që godet me “grusht” vetë rendin kushtetues.

Kushtetutat moderne janë ndërtuar mbi një mosbesim të mençur që përshkon logjikën e Montesquieu-së. Pushteti duhet të ndalojë pushtetin. Asnjë pushtet nuk duhet të bëhet aq i fortë sa të mos kufizohet nga një tjetër. Ajo që po shohim sot në konfliktin mes gjyqësorit dhe ekzekutivit nuk është episodi i parë, por një shfaqje periodike e një korporatizmi gjyqësor që, më shumë sesa krizë e drejtësisë, dëshmon një krizë të pushtetit politik. Është dështimi i institucioneve politike për të përmbushur detyrën kushtetuese të ruajtjes së ekuilibrit ndërmjet pushteteve. Është dështim i Kuvendit, i mazhorancës dhe opozitës bashkë, sepse kur diskutohen themelet e shtetit, politika e ditës duhet të pushojë. Sigurisht, peshën më të madhe e ka mazhoranca ku edhe unë bëj pjesë. Mazhoranca nuk ka vetëm të drejtën të qeverisë; ka detyrimin të mbrojë rendin kushtetues, të ushtrojë pushtetin që i është besuar e të mos krijojë vakum kushtetues. LEXO EDHE:Para se të zemërohemi me pagat e gjyqtarëve Ky vakum gradualisht ka filluar të mbushet nga sistemi ynë i drejtësisë. Nga një pushtet që duhej të ishte i pavarur nga politika, po shndërrohet në një pushtet që pretendon pavarësi nga çdo kontroll dhe kundërpeshë, madje edhe nga vetë Kushtetuta. Sot kemi arritur në pikën kur instrumentet që Republika i ka dhënë drejtësisë për t’u shërbyer qytetarëve - padi, masa sigurimi, kallëzime dhe procedime penale - përdoren në mënyrë të koordinuar, institucionale dhe të shoqëruara me presion publik e mediatik, për një konflikt që lidhet drejtpërdrejt me interesat ekonomike private të pjesëtarëve të këtij pushteti. Kur një pushtet, për t’i imponuar interesin e anëtarëve të tij një pushteti tjetër, përdor forcën që Republika i ka dhënë për t’u shërbyer qytetarëve, kemi hyrë në territorin e një “vetëgjyqësie” institucionale që godet me “grusht” vetë rendin kushtetues. Po pse kemi mbërritur këtu? Sepse pushteti politik, nga frika, interesi, konjunktura, dobësia apo paaftësia, e ka lejuar këtë, duke rrezikuar dorëzimin e pushtetit që qytetarët i kanë besuar me votë dhe me Kushtetutë. Ky dorëzim dobëson qytetarin dhe vetë demokracinë, duke rrezikuar ta përmbysë Republikën parlamentare në një Republikë gjyqësore. E kam thënë edhe më parë: qeverisja votohet rregullisht, por gjithnjë e më shumë vendi po qeveriset nga gjyqësori. Pushteti politik është vënë nën frikën e pushtetit gjyqësor dhe nuk përdor instrumentet kushtetuese për të mbrojtur kompetencat që qytetarët i kanë besuar. Ky nuk është thjesht një abdikim i pushtetit politik ndaj gjyqësorit, por i vetë votës -opi si fuqia e qytetarëve për të vendosur se kush e drejton këtë vend./ Marrë nga Facebook Xh.K/Shqiptarja.com TAG: klgj gjyq Plarent Ndreca Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

7 Shtator, 07:56

Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.2% Magjistratëve 15.8% Nuk e di 6% Vota total: 6926 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?