Mëngjesin e sotëm, disa institucione në qytete të ndryshme të vendit kanë marrë në adresat e tyre elektronike një mesazh kërcënues, ku pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur një bombë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, emaili është dërguar nga një adresë ende e paidentifikuar dhe ka pasur përmbajtje kërcënuese e terroriste.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur verifikimet në institucionet e përfshira. Nga kontrollet e kryera deri në këto momente, nuk është konstatuar prania e bombës apo e ndonjë lënde tjetër shpërthyese. Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po vijon hetimet për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nuk ka vend për panik. Strukturat policore, sipas njoftimit, janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Hetimet për identifikimin e autorit vijojnë. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

