Turqia i rikthehet përdorimit të armës gjyqësore kundër Izraelit dhe këtë e bën në një terren që në Ankara sjell në kujtesë një nga krizat më të thella në marrëdhënien e gjatë dhe të trazuar mes dy vendeve: flotiljet e drejtuara drejt Gazës. Ministria turke e Drejtësisë ka kërkuar lëshimin e “njoftimit të kuq” ndërkombëtare ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Afek Moskovitch, shtetas izraelit i përfshirë në hetimin për ndërhyrjen ndaj Global Sumud Flotilla, e ndaluar nga IDF pranverën e kaluar, ndërsa përpiqej të arrinte në Rripin e Gazës. Masa u njoftua sot nga ministri i Drejtësisë, Akin Gurlek, dhe vjen pas urdhër-arresteve të lëshuara më 14 korrik nga drejtësia turke ndaj dy izraelitëve, të akuzuar për “gjenocid”, krime kundër njerëzimit, privim të rënduar të lirisë, plagosje me dashje, torturë, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës, si dhe rrëmbim të mjeteve të transportit. LEXO EDHE:Edmond Spaho: Shqipëria nuk është Palestinë, as koloni e Sorosit dhe e të majtës reaksionare botërore! Global Sumud Flotilla, e cila u nis fillimisht nga Barcelona në prill dhe më pas u rinis më 14 maj nga Marmaris, në jug të Turqisë, me 54 mjete lundruese dhe mbi 400 aktivistë, synonte të thyente bllokadën detare izraelite dhe të tërhiqte vëmendjen mbi situatën humanitare në Rripin e Gazës. Rreth 430 persona u ndaluan në Mesdhe, në perëndim të Qipros, u transferuan në Izrael dhe u mbajtën në burgun Ktziot përpara se të dëboheshin. Në Itali, Maria Elena Delia, zëdhënëse e Global Sumud Flotilla, e mirëpriti nismën turke, duke argumentuar se ajo mund të ndihmojë për të “thyer një pandëshkueshmëri që ka zgjatur tepër gjatë”. “Ajo që kemi përjetuar — shtoi ajo — sulme, ndërhyrje të paligjshme në ujëra ndërkombëtare, sekuestrime të mjeteve lundruese, arrestime dhe dhunë, është e rëndë dhe duhet të ketë pasoja në planin e drejtësisë ndërkombëtare”. Arrestimi i aktivistëve kishte shkaktuar polemika edhe në Izrael. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, kishte publikuar një video që tregonte disa prej pjesëmarrësve në flotilje të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura, duke shkaktuar kritika edhe brenda qeverisë izraelite. Për Ankaranë, megjithatë, kjo ngjarje ka mbi të gjitha shijen e një rikthimi në të kaluarën. Precedenti i pashmangshëm është ai i Mavi Marmara, anijes turke që më 31 maj 2010 udhëhiqte një flotilje drejt Gazës në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite. Komandot izraelite hipën në anije në ujëra ndërkombëtare: nëntë aktivistë turq humbën jetën gjatë përleshjeve, ndërsa një i dhjetë, i cili kishte mbetur i plagosur rëndë, vdiq katër vjet më vonë. Ngjarja shkaktoi një përçarje të thellë mes dy vendeve, të cilat deri në atë moment kishin qenë partnerë të rëndësishëm strategjikë në rajon. Recep Tayyip Erdogan, në atë kohë kryeministër, e akuzoi Izraelin për “terrorizëm shtetëror”. Ankara tërhoqi ambasadorin e saj dhe i reduktoi në minimum marrëdhëniet diplomatike. Për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara u deshën gjashtë vjet, kërkimfalja e Netanyahut në vitin 2013 dhe një marrëveshje që parashikonte pagesën nga Izraeli të 20 milionë dollarëve për familjet e viktimave. Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën në vitin 2016, për t’u përkeqësuar sërish dy vjet më vonë. Në vitin 2022 u duk se po hapej një tjetër kapitull: presidenti izraelit Isaac Herzog vizitoi Ankaranë dhe në gusht të atij viti të dyja qeveritë njoftuan rikthimin e ambasadorëve. Por 7 tetori 2023 dhe lufta në Gaza e prishën edhe një herë atë ekuilibër të brishtë. Erdogan e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për gjenocid dhe ka mbrojtur Hamasin, ndërsa Turqia ka ndërhyrë në mbështetje të çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përçarjes politike iu shtua edhe ajo tregtare. Në maj 2024, Ankara njoftoi pezullimin e plotë të importeve dhe eksporteve me Izraelin, një shkëmbim tregtar që para luftës kapte një vlerë prej rreth shtatë miliardë dollarësh në vit. Qeveria turke pretendon se që prej asaj kohe tregtia e drejtpërdrejtë është çuar në zero. Por Banka e Izraelit ka konstatuar se importet e produkteve turke kanë rënë ndjeshëm, por nuk janë zhdukur: një pjesë e mallrave ka vazhduar të arrijë në tregun izraelit në mënyrë të tërthortë, përmes vendeve të treta dhe kompanive të regjistruara pranë Autoritetit Palestinez. Ankara, megjithatë, kundërshton që këto flukse të konsiderohen tregti me Izraelin. Kjo është një nga kontradiktat që prej vitesh shoqërojnë marrëdhënien mes Erdoganit dhe Izraelit: jashtëzakonisht e ashpër në planin politik dhe ideologjik, por më pragmatike kur hyjnë në lojë interesat ekonomike dhe strategjike. Dhe sot përballja nuk lidhet më vetëm me Gazën. Turqia dhe Izraeli ndodhen në fronte të kundërta edhe në Siri, ku Ankara ka forcuar ndikimin e saj dhe marrëdhëniet me qeverinë e re të Damaskut. Pikërisht këtë javë, Izraeli goditi bazën ajrore siriane të Abu al-Duhur, pranë Alepos, duke pretenduar se Damasku po përgatitej të lejonte atje dislokimin e forcave ushtarake turke. Ankara e hodhi poshtë akuzën, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të shmangë që tensionet të shndërrohen në një përplasje të drejtpërdrejtë. Në të njëjtën kohë, Turqia vazhdon të luajë një rol diplomatik në krizën e Gazës së bashku me Egjiptin dhe Katarin. Vetëm dje, tre ndërmjetësit akuzuan Izraelin se po vë në rrezik përpjekjet për të konsoliduar armëpushimin dhe për të çuar përpara planin amerikan të paqes. Pikërisht brenda kësaj ndërthurjeje rivalitetesh, interesash ekonomike dhe nevojash diplomatike vjen kërkesa turke që Netanyahu të shpallet në kërkim ndërkombëtar. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas Mavi Marmara-s, një tjetër flotilje drejt Gazës rikthehet në një çështje gjyqësore dhe diplomatike mes Ankarasë dhe Jerusalemit. Me një ndryshim jo të vogël: këtë herë, në bankën e të akuzuarve të drejtësisë turke ndodhet drejtpërdrejt kryeministri izraelit./CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com TAG: turqi Benjamin Netanyahu interpol Flotilja Globale Sumud Gaza Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Gusht, 13:45
Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.3% Shoqëria 26.8% Social media 15.8% Vota total: 5579 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

