Lajme Zone
“Akti i fundit ndaj gjyqësorit” – Muçollari: Një hap tjetër drejt ëndrrës së arkitektit holandez që e donte Ramën mbret
PolitikëBalkanWeb

“Akti i fundit ndaj gjyqësorit” – Muçollari: Një hap tjetër drejt ëndrrës së arkitektit holandez që e donte Ramën mbret

Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari në një status publik ka akuzuar kryeministrin Rama se po konsolidon pushtetin duke goditur institucionet dhe opozitën.

Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari në një status publik ka akuzuar kryeministrin Rama se po konsolidon pushtetin duke goditur institucionet dhe opozitën. Në një reagim në rrjetet sociale, ai e lidh aktin e fundit ndaj gjyqësorit me ëndrrën e arkitektit holandez për një Shqipëri pa zgjedhje e rotacion, me Ramën në pushtet. Muçollari thekson përplasjet me drejtësinë, çështjen McGonigal dhe betejën për drejtimin e PD-së, duke argumentuar se Rama po synon eliminimin e çdo pengese ndaj pushtetit të tij. Reagimi i plotë: Një hap tjetër drejt ëndrrës së arkitektit holandez që e donte Ramën mbret Me aktin e fundit që la gjithë gjyqësorin pa rroga dhe refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama hodhi një hap tjetër drejt realizimit të ëndrrës së arkitektit holandez. Në librin “Albanian Files”, me parathënie nga Kryeministri, arkitekti shprehej se do të donte që në Shqipëri të mos kishte zgjedhje, të mos kishte rotacion, të mos kishte asgjë tjetër pra, përpos Edi Ramës. Ai sugjeron që t’i jepet pushtet i përjetshëm, të bëhet mbret.

Kjo ishte ëndrra e një njeriu që jeton në një vend demokratik ku mbahen zgjedhje e referendume dhe ku askush nuk ka pushtet as të përjetshëm, as mbi të tjerët.

Pavarësisht se sa e çmendur duket kjo dëshirë, Edi Rama ka punuar me gjithë fuqinë që ka për ta realizuar. Duke sulmuar, dhunuar apo eliminuar pengesat që ka drejt pushtetit total dhe të përjetshëm.

Në fillim ai vuri në jetë planin për zhdukjen e Opozitës, Partisë Demokratike. Me komplotin e McGonigal, i cili nxiti hetime të paligjshme ndaj PD me trillimin për financim rus. Doli se McGonigal ishte paguar për këtë dhe sot ai është në burg. Më tej, Rama u investua në shpalljen non-grata të Sali Berishës. Mori vulën dhe logon e PD. Pra, bëri gjithçka për asgjësimin e Opozitës.

Një pengesë tjetër që ka Kryeministri sot është, me sa duket, drejtësia, që pavarësisht kontrollit dhe diktatit që ka ndaj segmenteve të saj, sërish ekziston potenciali që ajo të kthehet në bezdi dhe kanosje për pushtetin. Mjafton të kujtojmë këtu fatin e shpejtë të Ballukut, njeriut më të afërt të Kryeministrit.

Duke mos u dhënë pagat dhe duke e shpallur të pavlefshme Gjykatën Kushtetuese, Rama ka goditur një pushtet në teori të pavarur që mund ta sfidojë.

Parlamentin kuptohet se nuk e llogarit, ndërsa një tjetër instancë, Presidentin e Republikës, e ka kthyer që prej ditës së parë në një sekretar për dekretet e tij.

Me këto hapa, jemi shumë afër realizimit të ëndrrës së arkitektit holandez. Por drejtësia ka reaguar, opozita nuk ra dhe është në vijën e parë, dhe qytetarët janë ngritur në shesh. Këto ankthe po e mbajnë ende larg gjumin e ëmbël për pushtet të pakufishëm e të përjetshëm.

© BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb