Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në fshatin Dukat, ku dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën 62-vjeçari Xh. Xh., i cili drejtonte njërin prej automjeteve. Nga aksidenti raportohet gjithashtu për 2 persona të plagosur. Mësohet se në automjetin tjetër udhëtonin disa punëtorë të huaj, të cilët po shkonin drejt zonës bregdetare të Vlorës për të punuar. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i pajetë i 63-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit. Njoftimi i policisë “Rreth orës 07:20, në aksin rrugor “Orikum-Llogara”, në Fushë Dukat, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin Xh. Xh., rreth 62 vjeç, dyshohet se është përplasur me automjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin M. H., 36 vjeç. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje, 62-vjeçari Xh. Xh. Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit “Renault”, shtetasi egjiptian M. H., dhe pasagjeri, shtetasi M. N., rreth 40 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital. 3 pasagjerët e automjetit tip “Renault” janë shoqëruar në Komisariat dhe po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.
