Kimberly Guilfoyle Kimberly Guilfoyle, ambasadorja amerikane në Athinë, ka pranuar në një bisedë private se udhëtonte me avionët e biznesmenëve grekë dhe përfitonte qëndrime në hotele luksoze me shpenzimet e tyre. Gazeta amerikane The Wall Street Journal ka publikuar detaje nga një regjistrim audio që përfshin edhe Alexandros Exarchou, drejtuesin e grupit Aktor, të cilin ambasadorja e ka promovuar në marrëveshje energjetike që prekin edhe Shqipërinë... Një tjetër skandal ka përfshirë ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ish-partneren e Donald Trump Jr. dhe një nga figurat që ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me familjen e presidentit amerikan.
Gazeta The Wall Street Journal ka publikuar një investigim të ri, bazuar në regjistrime audio dhe dëshmi të personave që kanë qenë të pranishëm në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, në janar 2026.
Materiali nxjerr në pah marrëdhëniet e ambasadores me dy biznesmenë të fuqishëm grekë, Alexandros Exarchou dhe Nikolas Tsakos, të cilët, sipas raportimit, kanë financuar udhëtimet dhe qëndrimet e saj luksoze.
Por çështja nuk kufizohet te avionët privatë dhe hotelet me pesë yje. Njëri prej biznesmenëve, Alexandros Exarchou, drejton grupin grek Aktor, interesat tregtare të të cilit lidhen me marrëveshje energjetike në disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.
Sipas The Wall Street Journal, Guilfoyle ka nxitur qeveri nga Bullgaria deri në Shqipëri të bashkëpunojnë me Exarchou dhe të blejnë miliarda dollarë gaz natyror amerikan përmes kompanisë së tij. Kjo e vendos marrëdhënien mes ambasadores dhe biznesmenit grek në një kontekst që shkon përtej miqësisë personale.
Biseda në Davos dhe premtimi për miliona dollarë
Ngjarja që ka dokumentuar gazeta amerikane ka ndodhur gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në janar 2026. Kimberly Guilfoyle po përpiqej të siguronte një vend në një darkë të organizuar për Eric Trump, djalin e presidentit amerikan. Organizatorët e aktivitetit, të mbajtur nga Greek House Davos, nuk e kishin përfshirë në listën e të ftuarve.
Ambasadorja iu drejtua një biznesmeni amerikan që kishte marrë ftesë dhe kërkoi ndërhyrjen e tij. Në regjistrimin audio që ka shqyrtuar The Wall Street Journal, Guilfoyle i premton biznesmenit se mund t'i siguronte lidhje dhe mundësi të mëdha ekonomike.
"Ti e di që unë mund të ta sjell gjithë botën. Dhe ti e meriton", i thotë ajo. Në një tjetër moment, ambasadorja deklaron: "Unë do të të bëj të fitosh shumë para, dreqi ta hajë".
Gjuha e saj bëhet edhe më agresive kur flet për organizatoren e darkës, duke shprehur zemërimin që ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi nuk kishte marrë ftesë.
"Nuk mund të mos e ftosh ambasadoren amerikane në Greqi. Ajo duhet të më puthë bythën", shprehet Guilfoyle, duke iu referuar organizatores.
Në fund, ambasadorja arriti të siguronte një vend në darkë. Irene Vantaraki, kryetarja e Greek House Davos, i tha gazetës amerikane se organizatorët kishin përballuar një krizë të vogël që kishte prekur disa të ftuar të rëndësishëm. Sipas saj, Guilfoyle u soll me korrektësi gjatë aktivitetit dhe u largua përpara përfundimit të darkës.
Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve dhe të administratës amerikane nuk është konflikti për një ftesë. Janë deklaratat e ambasadores për marrëdhëniet me biznesmenët që financonin udhëtimet e saj.
Avioni privat i Exarchou dhe marrëveshjet e gazit që prekin Shqipërinë
Në regjistrimin e siguruar nga The Wall Street Journal, Kimberly Guilfoyle pranon se kishte udhëtuar drejt Davosit me avionin privat të Alexandros Exarchou, drejtorit ekzekutiv të grupit grek të ndërtimit Aktor.
Ambasadorja e përshkruan biznesmenin si pjesë të njerëzve të saj të afërt. "Ata janë njerëzit e mi", shprehet ajo gjatë bisedës.
Ky pohim merr rëndësi të veçantë për shkak të rolit që Guilfoyle ka luajtur në promovimin e interesave tregtare të Exarchou në rajon.
Në një investigim të mëparshëm, The Wall Street Journal raportoi se ambasadorja kishte nxitur qeveritë e vendeve të Ballkanit, nga Bullgaria deri në Shqipëri, të bashkëpunonin me kompaninë e biznesmenit grek për blerjen e gazit natyror amerikan.
Bëhet fjalë për marrëveshje me vlerë miliarda dollarë, në një sektor ku vendimet e qeverive, marrëdhëniet diplomatike dhe interesat e kompanive private ndërthuren drejtpërdrejt.
Pikërisht këtu lind problemi që ngre investigimi amerikan. Një ambasadore që përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara në Greqi ka promovuar marrëveshje nga të cilat mund të përfitojë një biznesmen privat, ndërsa i njëjti biznesmen i ka ofruar asaj transport me avion privat.
Këto dy fakte, të raportuara nga gazeta amerikane, ngrenë pyetjen nëse marrëdhënia personale ka ndikuar në aktivitetin diplomatik të ambasadores. Vetë grupi Aktor, përmes avokatëve të tij, nuk ka pranuar të komentojë raportimin e fundit. Në reagimet e mëparshme, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë kanë deklaruar se Guilfoyle nuk ka promovuar në mënyrë të parregullt interesat tregtare të Aktor.
Për Shqipërinë, rëndësia e këtij investigimi lidhet me faktin se vendi ynë përmendet shprehimisht nga The Wall Street Journal ndër qeveritë që ambasadorja ka nxitur të bashkëpunojnë me Exarchou.
Gazeta nuk paraqet në këtë raportim prova se zyrtarë shqiptarë kanë marrë përfitime të paligjshme, apo se marrëveshjet energjetike me kompaninë greke përbëjnë shkelje ligjore. Por marrëdhënia financiare mes biznesmenit dhe diplomates amerikane ngre një çështje që kërkon transparencë edhe për rolin e qeverive të rajonit në këto negociata. Nga Davosi në Paris, udhëtime dhe hotele me shpenzimet e një tjetër miliarderi grek
Alexandros Exarchou nuk ishte biznesmeni i vetëm grek që i siguronte ambasadores udhëtime private.
Sipas regjistrimit audio dhe dëshmive që ka mbledhur The Wall Street Journal, Guilfoyle kishte marrëdhënie të afërta edhe me Nikolas Tsakos, drejtuesin e kompanisë së transportit detar Tsakos Energy Navigation.
Në bisedën e Davosit, ambasadorja tregonte se kishte planifikuar të udhëtonte drejt Parisit me avionin privat të Tsakos për të marrë pjesë në një sfilatë mode të bashkëshortes së tij.
Ajo fliste hapur edhe për pushimet që kishte kaluar me biznesmenin në resortin ekskluziv zviceran Gstaad gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
"Unë e shoh Nikosin çdo ditë. Po fluturoj me të në Paris. Kam qëndruar me të një javë. Ai më do. Zemër, unë kalova Krishtlindjet me të. Vitin e Ri. Në Gstaad. Kudo", dëgjohet të thotë Guilfoyle.
Sipas personave që kanë dijeni për udhëtimin, kur ambasadorja mbërriti në Paris dhe u akomodua në hotelin luksoz Four Seasons George V, faturën e pagoi Tsakos.
Hoteli është një nga strukturat më të shtrenjta të kryeqytetit francez, ku qëndrojnë shpesh personalitete të Hollivudit dhe drejtues politikë nga vende të ndryshme.
Guilfoyle publikoi në Instagram 20 fotografi nga aktiviteti, ku shfaqej me disa fustane firmato. Në dy prej fotografive ajo pozonte me biznesmenin grek.
The Wall Street Journal thekson se financimi i udhëtimeve të ambasadores nga Tsakos nuk ishte raportuar më parë. Biznesmeni dhe bashkëshortja e tij nuk iu përgjigjën kërkesave të gazetës për koment. Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Athinë hodhi poshtë pretendimet për sjellje të parregullt.
Një zëdhënës deklaroi se Guilfoyle ka respektuar udhëzimet e Departamentit të Shtetit për etikën dhe deklarimin e dhuratave, duke i cilësuar pretendimet e publikuara si të pambështetura.
Megjithatë, deklarata e ambasadës nuk sqaron nëse udhëtimet me avionë privatë dhe pagesat e hoteleve janë deklaruar si dhurata, cilat kanë qenë vlerat e tyre dhe nëse autoritetet amerikane kanë dhënë miratimet përkatëse.
Hetimi amerikan dhe mundësia e shkarkimit
Investigimi i ri vjen në një moment kur administrata e Donald Trump po shqyrton të ardhmen e Kimberly Guilfoyle në postin e ambasadores.
Sipas burimeve të The Wall Street Journal, zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë diskutuar mundësinë e largimit të saj, ndërsa vendimin përfundimtar pritet ta marrë presidenti Trump.
Një person me dijeni për çështjen i tha gazetës se Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit po heton nëse ambasadorja ka marrë dhurata apo favore nga biznesmenë privatë.
Hetimi përfshin një çështje të rëndësishme për administratën amerikane, pasi diplomatët duhet të respektojnë rregulla të posaçme për pranimin dhe deklarimin e dhuratave, sidomos kur ato vijnë nga persona që kanë interesa tregtare të lidhura me vendimmarrjen qeveritare.
Por udhëtimet luksoze nuk përbëjnë të vetmin problem për Guilfoyle.
Në një tjetër raportim, The Wall Street Journal publikoi mesazhe telefonike sipas të cilave ambasadorja i kishte kërkuar një donatori të Donald Trump të transferonte 100 mijë dollarë në llogarinë e saj American Express.
Në këmbim, sipas mesazheve të publikuara, ajo i kishte ofruar ndihmë për të tërhequr vëmendjen e administratës Trump ndaj problemeve personale të donatorit me taksat dhe çështjet ligjore.
Avokati i Guilfoyle kundërshtoi autenticitetin e mesazheve, por nuk paraqiti hollësi konkrete për të mbështetur kundërshtimin.
Këto pretendime e kanë zgjeruar çështjen nga një debat mbi etikën diplomatike në dyshime për përdorimin e pozicionit publik për përfitime private.
Presidenti Trump, i pyetur nga gazetarët për raportimet, nuk dha një qëndrim të qartë për të ardhmen e ambasadores.
"Sapo dëgjova për këtë. Është për të ardhur keq. Nuk e di. Ajo është ambasadore. Ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme", deklaroi ai.
Edhe zëvendëspresidenti JD Vance shmangu një përfundim për çështjen.
"Këto janë akuza. Të shohim cila është e vërteta. Dhe natyrisht, nëse ka ndodhur diçka e keqe, atëherë njerëzit duhet të përballen me pasojat", tha Vance.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përball me publikimin e mesazheve në një moment delikat të vizitës së tij në Athinë.
Sipas gazetës, Rubio mësoi për mesazhet nga kërkesa e The Wall Street Journal për koment, ndërsa udhëtonte drejt Greqisë.
Ndihmësit e tij shprehën shqetësimin se skandali mund të mbulonte fjalimin që ai kishte planifikuar të mbante pranë Akropolit, mbi pozicionin e Perëndimit në botë.
Guilfoyle mori pjesë në disa aktivitete gjatë vizitës së Rubios dhe ishte e pranishme edhe në aeroport kur ai u largua nga Athina. I pyetur për mesazhet, Rubio refuzoi ta diskutonte çështjen në konferencën me gazetarët.
"Ne nuk i trajtojmë këto çështje në një konferencë shtypi në pistën e një aeroporti në një vend të huaj vetëm sepse ju keni shkruar një artikull", deklaroi ai.
Kongresi kërkon hetim, ndërsa Shtëpia e Bardhë diskuton largimin
Publikimet e gazetës amerikane kanë shkaktuar reagime edhe në Kongres.
Demokratët në komisionet e politikës së jashtme të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve i kanë kërkuar Departamentit të Shtetit të shqyrtojë veprimtarinë e Guilfoyle, sidomos pas raportimeve mbi promovimin e interesave të grupit Aktor.
Kongresmeni Gregory Meeks, demokrati më i lartë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i ka kërkuar ambasadores një hetim të menjëhershëm për të përcaktuar nëse sjellja e saj ka shkelur ligjet federale kundër ryshfetit dhe korrupsionit publik.
Meeks i ka kërkuar gjithashtu Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit të shqyrtojë respektimin e legjislacionit, rregulloreve dhe kërkesave etike.
Një tjetër kongresmen demokrat, Robert Garcia nga Kalifornia, ka kërkuar dokumente financiare dhe kopje të komunikimeve të ambasadores me zyrtarë qeveritarë.
Sipas Garcias, sjellja e raportuar ngre shqetësime serioze për korrupsionin publik dhe sigurinë kombëtare.
Ndërkohë, Guilfoyle ka kontaktuar persona brenda dhe pranë administratës Trump për të mohuar se ka dërguar mesazhet ku kërkohej pagesa prej 100 mijë dollarësh dhe për të siguruar mbështetje politike.
Por largimi i saj mund të mos jetë një vendim i thjeshtë për Shtëpinë e Bardhë.
Stephanie Grisham, ish-zëdhënëse e Melania Trump, ka ngritur publikisht dyshime se administrata do të marrë masa ndaj ambasadores.
Në një postim në platformën X, Grisham shkroi se Guilfoyle di shumë për familjen Trump dhe rrethin e saj të ngushtë, duke sugjeruar se njerëzit pranë presidentit mund të preferojnë ta mbajnë larg Uashingtonit.
Ky është një vlerësim politik i ish-zyrtares, jo një fakt i provuar mbi arsyet e vendimmarrjes së administratës.
Përtej marrëdhënieve personale me familjen Trump, dokumentimi i kontakteve mes ambasadores dhe biznesmenëve grekë ka hapur një problem konkret për Departamentin e Shtetit.
Kimberly Guilfoyle ka pranuar se ka udhëtuar me avionin privat të një biznesmeni, interesat e të cilit i ka promovuar në rajon. Gazeta amerikane ka dokumentuar gjithashtu se një tjetër biznesmen ka paguar akomodimin e saj në Paris.
Për Shqipërinë, elementi që kërkon vëmendje është roli i Alexandros Exarchou dhe i grupit Aktor në marrëveshjet rajonale të gazit natyror amerikan.
Investigimi i The Wall Street Journal nuk provon se këto marrëveshje janë të paligjshme, por dokumenton një marrëdhënie mes përfaqësueses diplomatike amerikane dhe biznesmenit që përfiton nga promovimi i tyre.
Tani i takon hetimit të Departamentit amerikan të Shtetit të përcaktojë nëse udhëtimet dhe favoret kanë shkelur rregullat e etikës apo ligjin. Ndërsa qeveritë e vendeve që Guilfoyle ka nxitur të bashkëpunojnë me Aktor, përfshirë Shqipërinë, kanë arsye të sqarojnë publikisht çfarë marrëveshjesh kanë diskutuar, me kë kanë negociuar dhe çfarë angazhimesh financiare kanë marrë. /Përshtati Pamfleti nga The Wall Street Journal/ guilfoyle skandale ambasadore e trump 678b86124c6590f0101e0cc1ef58268e0be182f5 936410ea9fde7a5a747e8034463225dcf181ef13 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Reshjet e dendura të shiut përmbytin rrugët e Vlorës, vështirësi në qarkullim 11 Tetor 2026, 07:3007:30Aktualitet Rrufe, breshër dhe erë e fortë/ Moti përkeqësohet këtë të diel, zonat ku priten shtrëngatat 11 Tetor 2026, 07:0107:01Aktualitet Mbyllen fjalimet para kryeministrisë, protestuesit marshojnë drejt Komisariatit nr.3 10 Tetor 2026, 20:3220:32Aktualitet Protesta në Tiranë, aktivisti Arben Kola thirrje ambasadorit amerikan: Na ndihmo të çlirohemi nga narkoshteti 10 Tetor 2026, 19:5319:53Aktualitet Protesta e 133-të në Tiranë, qytetarët sërish në shesh për largimin e Ramës 10 Tetor 2026, 19:2419:24Aktualitet “Partia në pikiatë”, Açka kritikon PD-në: Berisha duhet të tërhiqej 10 Tetor 2026, 19:0419:04Aktualitet

