Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta gjatë intervistës së tij për “Çim Peka Live”, ku ka folur për urdhër-arrestin ndaj tij, marrëdhënien me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe për atë që ai e konsideron si një plan për eliminimin e tij fizik.
Ahmetaj pretendoi se segmente brenda SPAK-ut kanë qenë në dijeni se përshpejtimi i procedurave ndaj tij dhe dërgimi në burg mund ta ekspozonte ndaj rrezikut për jetën. Sipas tij, grupe kriminale janë vënë në lëvizje edhe për ta kërcënuar.
Gjatë intervistës, Ahmetaj foli edhe për akuzat që lidhen me çështjen e Fierit, duke mohuar të ketë lidhje me firmat dhe dokumentet që, sipas tij, janë përdorur në këtë rast.
“Unë nuk hyj te punët e Fierit, i dashur. Ky është për qarkun e Fierit. Ja firmat. Shihni ndonjë emër ju, Arben Ahmetaj, këtu? Këtu. Shihni ndonjë Ministri Ekonomie? Jo. Po për çfarë më akuzojnë? Sepse kreu i organizatës donte kokë turku. E dini, është fakt. Një fakt. Erion Veliaj, ditën që ka dalë urdhri i arrestit për mua, ka hapur shishe uiski me drejtorët e vet, të cilët i bëri të gjithë koka turku, sepse 5D-ja është vepër e Erion Velisë. Edhe tha: “Tani”, më tha, “kryeministri s’ka më arrestime se e mbylli ky. E mbylla unë!”. Këta do të festonin, këta do të festonin. Erioni do të hapte shishe tjetër kur unë të humbja jetën në burg, për shkak të gjatë… nxehtësisë time, do të isha i eliminuar. Dhe kreu i organizatës do të dilte, do të më thoshte “më vjen keq” e të tjera, e të tjera. E do të thoshte “më ka premtuar kryeministri që situata në burgje do të përmirësohet”, deklaroi Ahmetaj.

