Situata e zjarreve në veri të vendit vijon të jetë shqetësuese, ndërsa pamje të reja të mbërritura pak minuta më parë në redaksinë e JOQ Albania tregojnë flakët që kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme malore në zonën e Mnelës, në Vaun e Dejës.
Në pamje dallohet një front i gjerë zjarri që po përshkon terrenin malor, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve.
Zjarri në Mnelë të Madhe është konfirmuar edhe në përditësimet e fundit të situatës së zjarreve në Qarkun e Shkodrës, ku bëhet me dije se vatra vijon të jetë aktive dhe se forcat në terren janë të angazhuara për mbrojtjen e zonës së banuar.
Edhe zona e Pukës po përballet me një situatë të vështirë. Në Malin e Tërbunit, sipas raportimeve të fundit, vija e flakëve shtrihet në më shumë se 10 kilometra përgjatë kurorës pyjore, ndërsa era po favorizon përhapjen e zjarrit.
Qytetarja që ka dërguar pamjet në redaksi shprehet e alarmuar për situatën dhe pretendon se gjatë gjithë ditës nuk ka parë ndërhyrje nga ajri.
“Ka zonat e Pukës dhe të Mnelës. Asht tu ba nami. Nuk bajn asisen. Sot gjithë ditën asnji helikopter për ta fikur”, shkruan ajo.
Më tej, qytetarja shpreh frikën se, për shkak të erës së fortë, flakët mund të përhapen edhe më tej:
“Sonte me gjithë atë erë do marrë flakë gjithë Vau i Dejës.”
Ndërkohë, të dhënat zyrtare të publikuara më 7 shtator bëjnë me dije se në operacionet për përballimin e situatës në vend janë angazhuar qindra forca dhe mjete zjarrfikëse, ndërsa janë zhvilluar edhe operacione nga ajri në disa vatra.
Megjithatë, pamjet e reja nga Mnelë tregojnë se zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa kushtet e motit mbeten një faktor që favorizon përhapjen e flakëve.
JOQ Albania do të vijojë të ndjekë situatën në zonat e prekura dhe ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

