Foto Pamfleti / Shoqëria u kërkon artistëve të jetojnë si shenjtorë, ndërsa politikanët dhe klerikët, që duhet të mbrojnë vlerat publike, prodhojnë polarizim dhe predikojnë një moral që nuk e jetojnë... Videot e shpërndara në mënyrë virale nga jeta private e disa artistëve shqiptarë prodhuan entuziazëm, eufori, trishtim dhe frustrim. Debati që shoqëroi këtë ngjarje të pashijshme devijoi shpejt nga thelbi.
Tronditja që ajo shkaktoi në shoqëri nuk duket e vogël. Shoqëria jonë ka humbur pikat e referimit. Fillimisht veneron udhëheqës dhe politikanë, pastaj zhgënjehet prej tyre. Në këtë gjendje e ka gjithnjë më të vështirë të gjejë figura ku të shohë veten dhe modele që t’i besojë.
Zhgënjimi nga artistët, apo nga ajo që quhet elitë kulturore, ka hidhëruar një shoqëri që gjendet prej kohësh në kërkim të busullës morale.
Ky problem lidhet edhe me mënyrën se si komunizmi e ndërtoi figurën e artistit. Diktatura nuk i paraqiste shkrimtarët, aktorët, regjisorët, piktorët, skulptorët dhe këngëtarët vetëm si krijues. Ajo i ngrinte edhe si ikona morale, sepse i përdorte si instrumente propagande dhe modele publike.
Në të vërtetë, edhe artistët më të talentuar mbeten njerëz. Ata kanë dobësi, vese, teprime dhe marrëzi. Vepra e tyre nuk i shndërron automatikisht në shenjtorë.
Arti nuk është punë mekanike. Ai lind nga shpërthimi i mendjes dhe i shpirtit dhe krijon vepra që ushqejnë imagjinatën e publikut.
Për Ismail Kadarenë përsëritet shpesh një klishe: “Ishte shkrimtar i madh, por jo njeri i madh”. Kadaresë i mjafton që ishte shkrimtar i madh dhe se vepra e tij i dha Shqipërisë një emër në letërsinë botërore. Jeta e tij private nuk përcakton vlerën e romaneve që shkroi. Ai nuk përfaqëson një model shoqëror sepse jetoi si murg asket, por sepse krijoi letërsi të madhe.
Shumë artistë të njohur botërorë kanë qenë personalitete të trazuara dhe kanë jetuar mes konfliktesh, varësish e dramash. Vepra e tyre, megjithatë, ka mbetur. Ajo vazhdon të ushqejë dhe të qetësojë shpirtrat njerëzorë, pavarësisht vuajtjeve të krijuesit.
Shembujt shkojnë nga Leonardo da Vinçi, Rafaeli, Caravaggio dhe Modigliani, deri te një prej aktorëve më të mëdhenj me origjinë shqiptare, John Belushi.
Kritika vazhdon ta vlerësojë Belushin si një nga talentet e spikatura të humorit, teatrit dhe kinemasë amerikane. Ai vdiq në moshë të re nga një mbidozë heroine dhe kokaine, duke u shkaktuar dhimbje familjarëve dhe miqve. Kjo tragjedi nuk e zhduku artin e tij.
Modelet morale duhet t’i krijojnë institucione dhe njerëz të tjerë. Këtë përgjegjësi e kanë, në radhë të parë, zyrtarët, politikanët dhe klerikët. Dy kategoritë e para duhet t’u shërbejnë qytetarëve. Klerikët duhet të mbrojnë dhe të përcjellin kurorën e vlerave që përmbajnë besimet fetare.
Zyrtarët dhe politikanët shqiptarë gëzojnë pak besim publik. Megjithatë, ata vazhdojnë të shërbejnë si modele për ndjekësit e tyre dhe si objekte urrejtjeje për kundërshtarët. Ky raport e polarizon shoqërinë dhe e çon vazhdimisht drejt përplasjes.
Klerikët duhet të sillnin qetësi dhe drejtim moral. Më 4 tetor Kisha Katolike kremton Shën Françeskun e Asizit, një nga figurat më të mëdha të mendimit dhe jetës së krishterë.
Shën Françesku vinte nga një familje e pasur italiane, por zgjodhi të jetonte në varfëri, me një tunikë dhe një palë sandale. Ai ua përcolli njerëzve vlerat e Ungjillit në një kohë kur shoqëria drejtohej nga etja për pasuri dhe pushtet. Deri në vdekjen e tij në moshën 44-vjeçare, ai i dha botës një model ku Ungjilli nuk mbetej tekst, por kthehej në mënyrë jetese. Për këtë arsye, vepra e tij vazhdon të jetojë si pikë referimi për moralin.
Një pjesë e klerikëve tanë sillen më shumë si influencierë të rrjeteve sociale sesa si bashkësi predikuesish. Ata polarizojnë, prodhojnë polemika dhe nxisin kundërshti, ndërsa detyra e tyre kërkon mesazhe bashkimi dhe paqtimi.
Flasin për veshjen, pamjen dhe jetën private të njerëzve, kur duhet të merren me shpirtin dhe vlerat e tyre.
Kjo gjendje e ka kthyer shoqërinë tonë në një hapësirë të errët, të ngjashme me Sodomën dhe Gomorrën. Shoqëritë nuk shkatërrohen vetëm nga veset dhe mëkatet njerëzore, sepse ato do të ekzistojnë gjithmonë. Ato shkatërrohen kur humbin modelet që mbrojnë dinjitetin dhe vlerat njerëzore.
Shqipërinë e rëndon edhe një problem më i madh se veset: hipokrizia. Në evidentimin e saj kanë ndihmuar edhe të ashtuquajturat elita. Mediat u japin hapësirë të flasin për talentin dhe punën e tyre, ndërsa ato paraqiten si murgj e predikues morali.
Flasin për familjen, korrektesën dhe ndershmërinë, njësoj si politikanët. Në një vend të vogël, ku njerëzit dinë pothuajse gjithçka për njëri-tjetrin, kjo hipokrizi bëhet qesharake.
Eli Farën njerëzit e pëlqejnë për zërin dhe pamjen, jo se duhet të jetë modeli moral i vendit. E njëjta logjikë duhet të vlejë edhe për politikanët. Shoqëria duhet të çlirohet nga hipokrizia dhe të mos kërkojë shenjtorë atje ku ka artistë, aktorë apo njerëz të zakonshëm.
Shikoni Monika Kryemadhin sot. Ajo duket më e çliruar dhe më simpatike sesa kur përpiqej të shiste figurën e familjares askete. Kur del nga SPAK-u me cigare në gojë, shishe uji në dorë dhe bën shaka me gazetarët, ajo shfaqet siç është.
Kjo është liria: të mos e kthesh jetën tënde në predikim dhe të mos u shesësh të tjerëve një moral që vetë nuk e jeton./Pamfletishoqëria jonë sodomë gomorrë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike "Dominimi i Edi Ramës po lëkundet"/ Media spanjolle: Korrupsioni dhe protestat vënë nën presion aleatin e madh të Sánchez në Ballkan 4 Tetor 2026, 13:0213:02Politike Rama njofton Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe: Prindërit do të përfshihen në politikat mbështetëse 4 Tetor 2026, 11:1711:17Politike Tabaku akuza qeverisë për çmimet: “Polici dixhital” nuk është zgjidhje, ndihmohet KAYO dhe jo fermerët 4 Tetor 2026, 10:4210:42Politike Publikimi i videove të artistëve, Fatmir Mediu: Po sfumojnë skandalin e SHISH 4 Tetor 2026, 07:5807:58Politike Trump, trofeu politik i Ballkanit! 3 Tetor 2026, 22:2622:26Politike Kapitulli 20 mbetet “në ajër”, 10 vende të BE-së ende pa dakordësi për Shqipërinë 3 Tetor 2026, 21:1021:10Politike

