Lajme Zone
A do t’i mbijetojë Amerika Trumpizmit?
PolitikëPamfleti

A do t’i mbijetojë Amerika Trumpizmit?

Amerika po shkon drejt zgjedhjeve të 3 nëntorit me një shqetësim shumë më të madh sesa se kush do të kontrollojë Kongresin. Ankthi është nëse sistemi amerikan është ende në gjendje të prodhojë kundërpushtet ndaj Donald Trump dhe, më gjerë, ndaj një modeli politik që e ka ndryshuar rrënjësisht Partinë Republikane dhe marrëdhënien e saj me institucionet.

Demokratët po përpiqen të “shpëtojnë” demokracinë amerikane nga Trumpizmi, ndërsa ngrenë një mur politik, ligjor dhe institucional përballë Shtëpisë së Bardhë. Zgjedhjet e nëntorit nuk janë më vetëm një betejë për Kongresin, por një provë për të parë nëse institucionet e SHBA-së janë ende më të forta se pushteti i Donald Trump. Amerika po shkon drejt zgjedhjeve të 3 nëntorit me një shqetësim shumë më të madh sesa se kush do të kontrollojë Kongresin. Ankthi është nëse sistemi amerikan është ende në gjendje të prodhojë kundërpushtet ndaj Donald Trump dhe, më gjerë, ndaj një modeli politik që e ka ndryshuar rrënjësisht Partinë Republikane dhe marrëdhënien e saj me institucionet.

Pikërisht këtu duhet bërë dallimi mes Donald Trump dhe trumpizmit.

Trump është presidenti. Trumpizmi është fenomeni politik që ka mbijetuar përtej një fushate apo një mandati: politika e ndërtuar rreth një lideri dominues, mosbesimi ndaj institucioneve tradicionale, lufta me burokracinë federale, armiqësia ndaj establishmentit, nacionalizmi ekonomik dhe, mbi të gjitha, bindja se sistemi është legjitim vetëm për aq kohë sa nuk pengon vullnetin politik të lëvizjes.

Për kundërshtarët e tij, pikërisht ky është rreziku. Për mbështetësit e Trump, është e kundërta: ata e shohin presidentin si njeriun që po çmonton një establishment të shkëputur nga Amerika reale. Kjo përplasje shpjegon pse vendi është sot shumë më larg debatit normal konservator-liberal dhe shumë më pranë një konflikti mbi vetë kufijtë e pushtetit.

Dhe demokratët po e kuptojnë se zgjedhjet e nëntorit mund të jenë një nga provat më serioze të këtij konflikti.

CNN dhe Associated Press kanë raportuar se strukturat demokrate, juristët dhe organizatat e të drejtave civile po përgatiten për skenarë që deri pak vite më parë do të dukeshin të pazakontë për demokracinë më të fuqishme të Perëndimit: përplasje për administrimin e zgjedhjeve, tentativa të mundshme për sekuestrimin e materialeve zgjedhore, prani të strukturave federale pranë procesit të votimit, beteja të menjëhershme gjyqësore dhe mobilizim masiv të vëzhguesve.

Partia demokrate në shtete kanë nisur një operacion për rekrutimin e rreth 10 mijë vullnetarëve për mbrojtjen e procesit zgjedhor. Aktivistët po përgatiten për protesta në rast ndërhyrjeje federale, ndërsa ekspertë ligjorë po hartojnë paraprakisht strategji për gjykatat.

Vetë ekzistenca e këtyre planeve nuk provon se administrata Trump do të ndërhyjë në numërimin e votave. Dhe ky dallim është thelbësor. Por fakti që një pjesë e establishmentit politik amerikan po përgatitet seriozisht për skenarë të tillë tregon se sa thellë është dëmtuar besimi mes palëve.

Shqetësimi ushqehet edhe nga veprimet konkrete të administratës. Trump ka vendosur “sigurinë zgjedhore” në qendër të betejës republikane për zgjedhjet e ndërmjetme dhe ka vazhduar të ngrejë pretendime mbi zgjedhjet e vitit 2020 që bien ndesh me vlerësimet e mëparshme të inteligjencës amerikane.

Edhe më domethënës është një investigim i Reuters i publikuar më 2 tetor. Sipas tij, një operacion brenda qeverisë federale kërkoi prova për pretendimet se aktorë të huaj kishin manipuluar sistemet e votimit në vitin 2020. Hetimi nuk gjeti prova se votat ishin manipuluar ose se rezultati ishte ndryshuar. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se synimi ishte identifikimi i dobësive të sistemeve zgjedhore, jo rihapja politike e zgjedhjeve të vitit 2020.

Këtu qëndron problemi politik për Amerikën: beteja nuk zhvillohet më vetëm mbi politikat e taksave, emigracionit, abortit, ekonomisë apo politikës së jashtme. Beteja do të përcaktojë se kush ka të drejtë të vendosë për rregullat e demokracisë.

Dhe demokratët nuk mund ta fitojnë këtë betejë vetëm duke përsëritur se Trump është i rrezikshëm.

Nëse ekziston një dobësi e madhe e opozitës amerikane, është pikërisht kjo. Për vite me radhë ajo ka qenë shumë më e aftë të shpjegojë pse amerikanët duhet t'i tremben Trump sesa pse duhet t'u besojnë demokratëve.

Një sondazh i AP-NORC i publikuar më 4 tetor e ilustron këtë paradoks. Demokratët kanë avantazh ndaj republikanëve mes të anketuarve në disa çështje kyçe, përfshirë koston e jetesës, por besimi te të dyja partitë mbetet i dobët. Vetëm një pjesë e vogël e amerikanëve të anketuar besojnë se secila parti është realisht e fokusuar te njerëzit si ata.

Ky është oksigjeni politik i trumpizmit.

Trump nuk u bë fenomen vetëm sepse Amerika ndryshoi ideologjikisht. Ai u bë fenomen edhe sepse miliona amerikanë humbën besimin te institucionet, elitat, mediat dhe partitë tradicionale. Një pjesë e tyre nuk e shohin Trump si defekt të sistemit. E shohin si çekiçin me të cilin mund ta godasin atë sistem.

Prandaj demokratët mund të fitojnë vende në Kongres dhe përsëri të mos e kenë mundur trumpizmin.

Mund të fitojnë zgjedhje dhe të mos fitojnë betejën kulturore.

Mund ta bllokojnë Trump në Kongres dhe të mos arrijnë të bindin Amerikën.

Kjo është arsyeja pse fjala “shpëtim” në titullin e kësaj beteje duhet përdorur me kujdes. Demokracitë nuk shpëtohen nga një parti. Në momentin kur një vend fillon të besojë se demokracia varet nga fitorja permanente e njërës palë, vetë demokracia ka hyrë në territor të rrezikshëm.

Amerikën nuk mund ta “shpëtojnë” vetëm demokratët. Mund ta mbrojnë demokratët, mund ta frenojnë Kongresi dhe gjykatat, mund ta kufizojnë guvernatorët, mund ta kontrollojë media dhe mund ta mbrojë shoqëria. Por, në fund, demokracinë amerikane mund ta ruajë vetëm funksionimi i gjithë mekanizmit të saj institucional, përfshirë republikanët që vendosin Kushtetutën mbi interesin partiak dhe demokratët që pranojnë se kundërshtari politik nuk mund të trajtohet automatikisht si armik i shtetit.

Sepse ekziston edhe një rrezik tjetër: që në përpjekjen për të luftuar trumpizmin, kundërshtarët e tij të kopjojnë logjikën e tij. Që çdo zgjedhje të shpallet “beteja e fundit”, çdo kundërshtar “kërcënim ekzistencial” dhe çdo humbje politike katastrofë kombëtare.

Atëherë polarizimi bëhet sistem. Dhe pikërisht kjo është prova e nëntorit.

Jo thjesht nëse demokratët do të marrin Dhomën apo Senatin. Jo thjesht nëse Trump do të dalë politikisht më i fortë apo më i dobët.

Prova është nëse Amerika është ende në gjendje të vendosë kufij mbi pushtetin pa e shkatërruar besimin te vetë sistemi që vendos këta kufij.

Për Evropën, kjo nuk është një histori e largët amerikane. SHBA është shtylla kryesore e NATO-s dhe garantuesi strategjik më i rëndësishëm i sigurisë euro-atlantike. Çdo krizë e zgjatur institucionale në Uashington prodhon pasoja shumë përtej Atlantikut, nga Ukraina te Ballkani Perëndimor. Prandaj ajo që do të ndodhë në nëntor nuk është vetëm një betejë mes demokratëve dhe republikanëve.

Është një provë nëse institucionet amerikane janë ende më të forta se njeriu që kontrollon përkohësisht Shtëpinë e Bardhë. Nëse përgjigjja është po, Amerika do të ketë treguar edhe një herë fuqinë e sistemit të saj të kontrollit dhe ekuilibrit. Nëse përgjigjja është jo, problemi nuk do të quhet më vetëm Donald Trump. Problemi do të quhet Amerikë./Pamfletia do t'i mbijetojë amerika trumpizmit gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Ron Yeffet dhe “sëmundja” e vjetër e Edi Ramës 3 Tetor 2026, 14:2414:24Editorial Kur teknologjia bie në duart e barbarëve 2 Tetor 2026, 12:4212:42Editorial Grahmat e fundit të malavitës 1 Tetor 2026, 11:1311:13Editorial Shakaxhiu i Integrimit 30 Shtator 2026, 12:2712:27Editorial Vlora dhe ‘strategjia e maces së ngordhur’ 29 Shtator 2026, 12:0512:05Editorial Presidenti që “u tërhoq zvarrë” nga Kosova 28 Shtator 2026, 11:3811:38Editorial