Edi Rama dhe Gellert Jaszai Budapesti po kontrollon kontrata dhe financime publike me vlerë miliarda euro. Tirana duhet të zbulojë nëse aksionet, të ardhurat apo infrastruktura e operatorit shqiptar garantojnë detyrimet e grupit hungarez... Kur 4iG bleu ONE Telecommunications dhe mbi 80 për qind të Albtelecomit, institucionet shqiptare u morën kryesisht me transferimin e pronësisë dhe përqendrimin e tregut. Askush nuk i shpjegoi publikut me hollësi se cilat banka financuan blerjet, çfarë garancish dha grupi hungarez dhe nëse marrëveshjet vendosën barrë mbi aksionet, të ardhurat apo asetet e operatorëve shqiptarë.
Kjo pyetje nuk mund të mbetet më brenda dosjeve të kompanisë.
Qeveria hungareze ka nisur shqyrtimin e të gjitha marrëdhënieve financiare dhe kontraktore mes shtetit dhe 4iG. Kontrolli përfshin telekomunikacionin, industrinë ushtarake, teknologjinë dhe programet hapësinore. Pas njoftimit, aksionet e grupit humbën afro 15 për qind brenda një jave.
Shifrat që po dalin nga Budapesti tregojnë përmasat e perandorisë së ndërtuar nga Gellért Jászai gjatë qeverisjes së Viktor Orbánit.
Shteti hungarez lidhi me 4iG tri kontrata për shërbime satelitore, me një vlerë të përgjithshme prej 2.36 miliardë eurosh. Dy prej tyre u nënshkruan pak përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2026. Deri në fund të vitit 2025, shteti i kishte paguar grupit 125.2 milionë euro.
Një kontratë tjetër, për sistemet informatike të mbrojtjes, arrin në 1.311 trilionë forinta. Qeveria e re hungareze gjeti edhe një faturë parapagimi prej 38 miliardë forintash. Tashmë kontrolli duhet të përcaktojë si u përzgjodh 4iG, çfarë mori shteti në këmbim dhe nëse grupi zotëron kapacitetet teknike për të realizuar detyrimet e marra.
Një hetim i Direkt36 zbuloi një tjetër mekanizëm financiar. Eximbank dhe Széchenyi Alapok, dy struktura me kapital shtetëror, investuan 37 miliardë forinta në një fond të lidhur me Jászain. Paratë kaluan më pas drejt strukturave të 4iG që blenë kompani të industrisë ushtarake nga vetë shteti hungarez.
Pra, shteti financoi një fond privat të lidhur me Jászain, ndërsa strukturat e tij blinin pasuri shtetërore.
4iG deklaron se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se do të bashkëpunojë me kontrollin. Autoritetet hungareze nuk kanë dhënë ende përfundime dhe nuk kanë shpallur të paligjshme kontratat e grupit. Kontrolli, megjithatë, prek themelet financiare mbi të cilat Jászai ndërtoi zgjerimin e 4iG.
Brenda kësaj perandorie ndodhet edhe ONE Albania.
Në vitin 2022, 4iG bleu 99.899 për qind të ONE Telecommunications dhe mbi 80 për qind të Albtelecomit. Më pas i bashkoi dy operatorët, duke e reduktuar tregun celular shqiptar nga tre kompani në dy. ONE Albania trashëgoi frekuencat, fibrën optike, rrjetin fiks, qendrat teknike dhe infrastrukturën e ish-Albtelecomit.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë grupi, ONE Albania kontrollon mbi gjysmën e tregut celular. Kompania nuk zotëron vetëm karta SIM dhe antena. Në rrjetin e saj kalojnë komunikimet e qytetarëve, bankave, bizneseve dhe institucioneve shtetërore.
Tani Shqipëria duhet të mësojë si u financuan blerjet që i dhanë 4iG-së këtë kontroll.
Cilat banka dhanë kreditë për blerjen e ONE Telecommunications dhe Albtelecomit? Çfarë asetesh përdori 4iG si garanci? A ka vendosur grupi barrë mbi aksionet e kompanive shqiptare? A garantojnë të ardhurat, llogaritë bankare apo infrastruktura e ONE Albania detyrimet e kompanisë mëmë?
Ekstrakti historik i regjistrit shqiptar evidenton një marrëveshje sigurie të vitit 2022 mes 4iG Albania dhe Bankës Kombëtare Tregtare. Institucionet duhet të publikojnë aktin e plotë, shumën e detyrimit, përfituesin e garancisë dhe pasuritë që mbulon marrëveshja.
Vetëm ky dokument mund të tregojë nëse bëhet fjalë për një financim të zakonshëm korporativ apo për një barrë që prek aksionet dhe asetet strategjike të operatorit shqiptar.
Bilancet duhet të japin edhe një përgjigje tjetër. Sa para nxjerr ONE Albania nga tregu shqiptar dhe sa prej tyre kalojnë drejt grupit 4iG?
AKEP, Drejtoria e Tatimeve dhe institucionet financiare duhet të kontrollojnë dividendët, huatë brenda grupit, interesat, tarifat e menaxhimit, licencat, konsulencën dhe pagesat për kompani të lidhura. Këto të dhëna duhet të krahasohen me investimet reale në mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit.
4iG njoftoi një investim prej 50 milionë eurosh për pajisjet e rrjetit 5G të ONE Albania. Kjo shumë duhet kontrolluar në terren dhe në bilance. AKEP duhet të tregojë sa pajisje u instaluan, sa zona mbulon rrjeti, cilat pagesa janë kryer dhe nëse investimi përputhet me detyrimet që kompania mori pas sigurimit të frekuencave.
Në të njëjtën kohë, abonentët kanë raportuar ndërprerje të telefonatave, mungesë interneti, probleme me faturimin dhe vështirësi në komunikimin me shërbimin e klientit. Një operator që kontrollon gjysmën e tregut nuk mund t’i mbyllë defektet me një kërkim ndjese. Kompania duhet të publikojë shkaqet, numrin e abonentëve të prekur, kohëzgjatjen e ndërprerjeve dhe investimet që parandalojnë përsëritjen e tyre.
Problemi nuk kufizohet te cilësia e telefonisë. Qeveria shqiptare ka mbështetur projektin e 4iG për një kabllo nënujore të të dhënave ndërmjet Shqipërisë dhe Egjiptit. Jászai ka diskutuar me Edi Ramën edhe për energjinë dhe industrinë shqiptare të mbrojtjes.
Kjo marrëdhënie i jep 4iG-së një peshë që tejkalon tregun e telekomunikacionit. Grupi synon të hyjë në sektorë ku shteti ruan të dhëna, komunikime, energji dhe kapacitete ushtarake. Para se Rama t’i hapë dyer të tjera, duhet të tregojë çfarë garancish ka marrë për infrastrukturën që 4iG kontrollon tashmë.
Shteti shqiptar nuk duhet të presë përfundimin e kontrollit në Budapest. AKEP duhet të kërkojë strukturën e plotë të financimit të ONE Albania. Autoriteti i Konkurrencës duhet të shqyrtojë pasojat e bashkimit me Albtelecomin. Banka e Shqipërisë dhe institucionet kundër pastrimit të parave duhet të kontrollojnë kreditë, garancitë dhe transferimet ndërkufitare. Institucionet e sigurisë duhet të përcaktojnë çfarë ndodh me rrjetin nëse grupi mëmë përballet me anulim kontratash, kërkesa për kthimin e fondeve publike apo vështirësi financiare.
Budapesti po kontrollon miliardat që ngritën 4iG. Tirana duhet të kontrollojë nëse Jászai ka përdorur pasurinë strategjike të Shqipërisë për t’i mbajtur ato mbi këmbë.
Pyetja kërkon përgjigje me dokumente: A e ka vënë 4iG peng ONE Albania për borxhet e veta?/Pamfletigellert jaszai edi rama one albania 4ig Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Kultura në dorë të Gonxhes, paratë lumë e administrimi rrumpallë 29 Gusht 2026, 10:1210:12Dosja e zezë Tepsia 6-milionëshe e Startup Albania/ Ibrahimaj dhe Ymeri shtojnë 55 fitues në heshtje; dalin bizneset e reja, pjesë e rrethit të pazareve 27 Gusht 2026, 19:0119:01Dosja e zezë 'Sazani' hap dosjen amerikane: Kongresi kërkon komunikimet e Jared Kushnerit me Edi Ramën 27 Gusht 2026, 12:0512:05Dosja e zezë Ministrja e ‘përjetshme’ e Ramës me 9 shtëpi nga kursimet, i biri i Kumbaros i punësuar pranë industrisë së Mbrojtjes! 26 Gusht 2026, 18:3318:33Dosja e zezë ‘Jeniçeri’ i Viktor Orbánit kërkon strehë te Edi Rama 26 Gusht 2026, 11:1811:18Dosja e zezë Çfarë aferash fsheh Kryeministri në dosjet e papublikuara të KKT-së: 194 leje ndërtimi të dhëna në vitet 2017-2026 25 Gusht 2026, 15:3315:33Dosja e zezë

