“A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni?”. Këtë pyetje ua bëri Arlinda Zekaj policëve në Pejë, të dielën e 25 tetorit. Vetëm pak orë më vonë, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në mënyrë makabër në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është në arrati. Historia e Arlindës ka tronditur Kosovën, pasi kjo grua kishte muaj që denonconte kërcënimet, kishte kërkuar mbrojtje dhe madje kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Ajo nuk kërkonte të largohej nga shtëpia e saj, por të jetonte aty me djalin e saj 12-vjeçar, për të cilin ishte përfshirë në një konflikt të gjatë me ish-bashkëshortin dhe familjen e tij. LEXO edhe...Çfarë politike të jashtme propozon Lista Studentore në Serbi? Arlinda kishte qenë e martuar për rreth 13 vjet me Jeton Sylajn. Ata kishin jetuar për 11 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vitin 2024 ajo ishte kthyer në Kosovë së bashku me djalin. Sipas dëshmisë së saj, dhuna kishte nisur që gjatë martesës në Amerikë, ku ajo pretendonte se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Në dhjetor të vitit 2025, konflikti mes tyre ishte përshkallëzuar. Arlinda kishte treguar se Jetoni e kishte kërcënuar me vrasje dhe e kishte dëbuar nga shtëpia. “Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, ishin fjalët që ajo kishte denoncuar në polici. Sipas saj, ish-bashkëshorti e kishte fyer me fjalët “kurvë”, “kudër” dhe “rrugaqe”, duke e kërcënuar se do të përfnte në rrugë dhe se nuk do ta shihte më djalin. Në një rast, ai ia kishte nxjerrë rrobat në oborr, u kishte vënë flakën dhe i kishte dërguar pamjet. Marrëdhënia me djalin ishte kthyer në një tjetër shqetësim për Arlindën. Ajo kishte deklaruar se, pasi 12-vjeçari kishte shkuar të qëndronte te familjarët e babait në qershor, ai e kishte bllokuar në telefon dhe rrjetet sociale. Arlinda dyshonte se kjo kishte ndodhur nën ndikimin e familjarëve të Jetonit dhe kishte kërkuar ndihmën e policisë për të rikthyer kontaktin me të. Më 10 korrik, ajo kishte denoncuar kërcënimet në Stacionin Policor të Pejës. Dy javë më vonë, më 23 korrik, Jeton Sylaj u mor në pyetje nga Prokuroria, ku pranoi se e kishte kërcënuar ish-bashkëshorten, por u përpoq t'i justifikonte fjalët e tij me shqetësimin për djalin. “Është e vërtetë se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom me të mbyt, kom me të ngre zhag’, mirëpo të njëjtat ia kam thënë sepse djali im është ndjerë i rrezikuar”, kishte deklaruar ai. Pavarësisht denoncimeve, konflikti vazhdoi. Më 16 tetor, Gjykata urdhëroi që Arlindës t'i lejohej kthimi në shtëpinë e përbashkët dhe lëshoi një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor. Por ajo ende nuk po arrinte të kthehej e sigurt në banesë. Më 22 tetor, vetëm tri ditë përpara se të vritej, Arlinda i dërgoi një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj. Ajo kërkonte ndërhyrje urgjente dhe masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin bërë detyrën për ta mbrojtur dhe për të zbatuar vendimin e gjykatës. Rreziku ishte aq serioz sa, sipas vetë Prokurorisë, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t'i rrezikonte jetën. Arlinda ishte udhëzuar të qëndronte përkohësisht te vëllezërit, ndërsa ishte planifikuar që një patrullë policore ta shoqëronte gjatë kthimit në banesë. Më 23 tetor, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për kanosje në marrëdhënie familjare. Por dy ditë më vonë, të dielën, më 25 tetor, Arlinda u përball sërish me kërcënime. Atë pasdite, rreth orës 17:58, ajo kishte pritur të përfnte lavatriçja me rrobat e familjarëve të Jetonit dhe më pas kishte futur rrobat e saj për t'i larë. Kishte shkuar në kuzhinë për të ngrënë kur, sipas saj, ish-bashkëshorti kishte filluar të bërtiste. “Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time? Ti nuk guxon më kështu të veprosh, kush je ti?”, i kishte thënë ai, sipas deklaratës së Arlindës. Më pas, siç tregoi ajo, Jetoni ia kishte marrë rrobat dhe ia kishte hedhur në oborr. Arlinda telefonoi policinë. Në stacion tregoi gjithçka kishte ndodhur dhe shprehu hapur zemërimin që, pavarësisht denoncimeve të mëparshme, vazhdonte të kërcënohej. “Po, dua ta pyes Policinë: A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?”, kishte deklaruar ajo. Policia e pyeti nëse dëshironte të shkonte në një strehimore për gratë e dhunuara, por Arlinda refuzoi. Ajo nuk donte të largohej nga shtëpia që e konsideronte të sajën. “Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time”, ishte përgjigjur ajo. Por kur u pyet nëse ndihej e sigurt të kthehej, përgjigjja e saj tregonte se frika ishte e madhe. “Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime.” Policia arrestoi Jeton Sylajn dhe e ndaloi për 48 orë. Arlindën e shoqëroi përsëri në banesën e saj në Vitomiricë. Pak më vonë, atë të dielë, rreth orës 21:10, policia u njoftua se 49-vjeçarja ishte gjetur pa shenja jete. Ajo ishte goditur për vdekje me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj. Policia tha se Arlinda ishte kthyer në shtëpi me vullnetin e saj, por avokatja Adelina Hoxha e kundërshtoi këtë version. “Nuk ka qenë vullneti i viktimës!!! Kryeprokurorisë së Shtetit do t’i dorëzohen të gjitha. Së paku kontrollone deklaratën e viktimës në polici gjysë ore para se mu vra… e shumë tjera”, deklaroi avokatja. Deri tani nuk është sqaruar nëse policia kishte qëndruar pranë banesës për ta mbrojtur, siç ishte planifikuar më herët. Vrasja e Arlindës shkaktoi zemërim në Kosovë. Të hënën, aktivistet e organizatës QIKA hodhën ngjyrë të kuqe në shkallët e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë dhe vendosën një pankartë me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën”, duke akuzuar institucionet për mosmbrojtjen e saj. Ngjarja çoi edhe në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti kërkoi hetimin e të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve dhe propozoi që brenda 72 orëve policia të rishikojë rastet aktive të dhunës në familje që paraqesin rrezik të lartë. “Për Arlindën kërkoj drejtësi dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie”, tha Kurti. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, pranoi se pas takimeve me përfaqësues të institucioneve nuk kishte krijuar bindjen se ato kishin përmbushur të gjitha detyrimet për mbrojtjen e viktimës. “Të them të drejtën nga ky takim nuk dolëm me ndjenjën që institucionet e thirrura për të mbrojtur Arlindën nga dhuna, e kanë kryer në plotëni detyrën e tyre konform ligjit dhe përgjegjësive të tyre”, deklaroi ajo. Opozita kërkoi dorëheqjen e ministres, ndërsa deputetë të tjerë kërkuan hetim parlamentar dhe ndëshkimin e çdo zyrtari që mund të ketë neglizhuar denoncimet. Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar një raport të detajuar për gjithë historinë e denoncimeve të Arlindës, ndërsa Inspektorati Policor ka nisur hetimet për mënyrën se si policia e trajtoi rastin. Prokuroria po verifikon gjithashtu nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës nga zyrtarët përgjegjës. Përgjegjësia e mundshme institucionale mbetet për t'u përcaktuar nga hetimet. Por dokumentet e publikuara deri tani tregojnë se Arlinda kishte kërkuar ndihmë vazhdimisht, kishte paralajmëruar se ndihej e rrezikuar dhe kishte një urdhër mbrojtjeje në fuqi. Një kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar, ku viktima kërkoi ndihmë, deri në orët e fundit të jetës. U.D/ReportTv.al Albin Kurti peje jeton sylaj vrasje kosove Arlinda Zekaj Komento Komente Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 77.8% Jo 19.3% Nuk e di 2.9% Vota total: 1337 Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?

