Një nënë nga Korça i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke kërkuar që rasti i djalit të saj 4-vjeçar, për të cilin ajo pretendon se është dhunuar nga edukatorja në kopsht, të hetohet deri në fund.
Në mesazhin e saj, nëna shprehet e indinjuar pasi, sipas saj, edukatorja është lënë e lirë nga Gjykata e Korçës. Ajo e konsideron këtë vendim shqetësues dhe kërkon që të sqarohet mbi çfarë rrethanash është marrë, si dhe nëse janë vlerësuar të gjitha provat e rastit.
“Dua që e vërteta për fëmijën tim të shkojë deri në fund. Gjykata të mbajë përgjegjësi për lirimin e saj dhe tolerimin e dhunës ndaj fëmijës tim”, shkruan nëna në denoncimin e saj.
Ajo tregon se, kur ka shkuar për të marrë të birin, e ka gjetur duke qarë dhe se më pas është përballur me edukatoren, ndërsa ka regjistruar me telefon një pjesë të debatit. Sipas saj, këto janë dy videot që disponon aktualisht.
Nëna pretendon gjithashtu se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe se pamjet që ajo i konsideron prova të dhunimit ndodhen në duart e autoriteteve. Ajo thotë se disponon edhe dokumentet që i janë vënë në dispozicion dhe shprehet e gatshme t'i paraqesë ato.
Përmes JOQ Albania, nëna kërkon që rasti të mos mbetet pa u sqaruar dhe që institucionet përgjegjëse të verifikojnë të gjitha provat, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

