Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e “News24”, ka komentuar përgatitjet për garën e ardhshme lokale për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke ndalur te rivaliteti brenda mazhorancës si dhe te modeli që duhet të ndjekë opozita për përzgjedhjen e kandidatit. Duke u ndalur te emrat e përfolur në radhët e Partisë Socialiste si kandidatë të mundshëm, si Erion Braçe apo Ogerta Manastirliu, Alimehmeti u shpreh se më shumë se një ofertë zhvillimi për kryeqytetin, te mazhoranca po shihet një rivalitet i brendshëm për pushtet. I pyetur për strategjinë e PD-së dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme vendore, Alimehmeti nënvizoi se gara duhet të kapërcejë siglat e ngushta politike dhe t’u ofrojë qytetarëve një ndryshim të rrënjësishëm të sistemit të qeverisjes. Për sa i përket përzgjedhjes së emrit që do të përfaqësojë opozitën, ai sqaroi se do të ndiqet një proces strukturuar—qoftë përmes primareve, seleksionimit apo një komisioni të posaçëm—ndërsa konfirmoi zyrtarisht se do të jetë pjesë e kësaj gare të brendshme. “PD dhe aleatët e saj do të ulen dhe do të diskutojnë për modelin se si do t’i qasen garës për pushtetin vendor. Mendoj se kjo duhet të jetë përtej siglave politike, duhet të shkojmë për ndryshim sistemi dhe modeli qeverisjeje. Do të jetë një proces, ose primare, seleksionim, ose një komision për të vendosur. Unë në atë lloj procesi do të futem, por se çfarë do të vendoset prej tyre mbetet për t’u parë,” përfi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
