Lajme Zone
9 të vrarë e 15 të plagosur në Krakov, vdes në spital autori 24-vjeçar
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

9 të vrarë e 15 të plagosur në Krakov, vdes në spital autori 24-vjeçar

24-vjeçari që shkaktoi tragjedinë me 9 viktima dhe 15 të plagosur në Krakov ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spital. I riu ishte qëlluar nga një efektiv policie, i cili ndërhyri për ta ndalur pasi ai hapi zjarr ndaj qytetarëve. Për shkak të plagëve të marra, autori ishte shtruar në gjendje kritike.

24-vjeçari që shkaktoi tragjedinë me 9 viktima dhe 15 të plagosur në Krakov ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spital. I riu ishte qëlluar nga një efektiv policie, i cili ndërhyri për ta ndalur pasi ai hapi zjarr ndaj qytetarëve. Për shkak të plagëve të marra, autori ishte shtruar në gjendje kritike.

Policia ka bërë të ditur se bëhet fjalë për Michal Oksinski, 24 vjeç, me profesion tornitor, i cili kishte përfunduar studimet në degën e mekanikës në një shkollë profesionale.

Ndërkohë, dëshmitë e ish-shokëve të tij të shkollës, të transmetuara nga radioja lokale Eska, kanë zbuluar disa episode shqetësuese nga e kaluara e të riut. Sipas tyre, ai kishte vështirësi në komunikimin dhe krijimin e marrëdhënieve me të tjerët që në moshë të hershme.

Gjatë orëve të mësimit, Oksinski vizatonte vazhdimisht skena të dhunshme, ku shfaqeshin njerëz të varur ose persona të armatosur gjatë sulmeve. Një ish-shoqe e tij ka rrëfyer se, kur e pyesnin për kuptimin e vizatimeve, ai u përgjigjej se po paraqiste një sulm në shkollë, ku vetë do të ishte autori.

Ajo ka treguar gjithashtu se i riu shfaqte interes për mësimet kryesisht kur bëhej fjalë për tema historike. Pavarësisht këtyre dëshmive, autoritetet konfirmojnë se ai nuk rezultonte me precedentë penalë dhe dispononte leje të rregullt për armëmbajtje.

Në orët e para pas ngjarjes, dyshimet u përqendruan te mundësia që sulmuesi të kishte përdorur armë të tipit ushtarak. Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se në automjetin e braktisur prej tij, në kryqëzimin e rrugëve Dietla dhe Stradomska, ishin gjetur disa armë dhe municione.

Ky informacion nxiti spekulimet se 24-vjeçari mund të kishte pasur lidhje me ushtrinë. Megjithatë, qeveria polake i hodhi poshtë këto pretendime që mbrëmjen e djeshme, duke përjashtuar mundësinë që ai të ishte pjesëtar i forcave të armatosura.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Oksinski kishte përshkuar rreth 150 kilometra me automjetin e tij për të mbërritur në Krakov. Ai ishte nisur nga banesa në Ostrowiec Świętokrzyski, qytet me rreth 75 mijë banorë, i njohur për historinë e tij industriale dhe veçanërisht për industrinë metalurgjike.

Por, ndërsa në Krakov bilanci i sulmit ishte tragjik, një tjetër skenë e rëndë është zbuluar në banesën e tij. Gjatë kontrollit, policia gjeti të vrarë tre anëtarët e familjes së 24-vjeçarit: babanë 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 21-vjeçare. Rrethanat e vrasjes së tyre mbeten pjesë e hetimeve.

Në sheshin kryesor të Krakovit humbën jetën gjashtë persona, katër gra dhe dy burra. Sipas të dhënave të bëra publike, katër prej viktimave ishin shtetas polakë, një britanik dhe një austriak.

Ndërkohë, 15 persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u dërguan për trajtim në Spitalin Universitar të Krakovit. Mes tyre ishin edhe pesë shtetas të huaj nga Austria, Gjermania, Rusia, Ukraina dhe Portugalia.

Në mesin e të plagosurve ndodheshin edhe dy efektivë policie, Jakub Kulik dhe Artur Moranski, të cilët iu përgjigjën menjëherë situatës së krijuar. Sipas të dhënave paraprake, ata ndërhynë vetëm tre minuta pas të shtënave të para, në përpjekje për të neutralizuar sulmuesin.

Njëri prej policëve ndodhet në gjendje tejet kritike, pasi u qëllua tri herë gjatë përballjes me 24-vjeçarin. Momenti i ndërhyrjes është regjistruar edhe në një video që ka shkaktuar reagime të forta. Në pamje shihet autori i shtrirë në tokë, ndërsa efektivi përpiqet ta mbajë nën kontroll. Pak çaste më vonë, polici goditet nga plumbat dhe rrëzohet përtokë.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, sulmi nisi kur Oksinski mbërriti në shesh përmes rrugës Sławkowska. Ai ishte i veshur me veshje kamuflazhi të stilit ushtarak dhe dyshohet se fillimisht hapi zjarr nga brenda automjetit të tij, duke shkaktuar panik dhe një bilanc të rëndë viktimash.

Hetuesit vijojnë punën për të zbardhur plotësisht motivet e sulmit, si dhe rrethanat që paraprinë ngjarjen tragjike.