Lajme Zone
Skandali bankar prej qindra mln dollarësh në Paraguai/ Kontrollohet banesa e ish-presidentit pas shkarkimit dhe arrestimit, zbulohet një kasafortë e fshehtë pas murit
BotëBalkanWeb

Skandali bankar prej qindra mln dollarësh në Paraguai/ Kontrollohet banesa e ish-presidentit pas shkarkimit dhe arrestimit, zbulohet një kasafortë e fshehtë pas murit

Prokurorët në Paraguai kanë kontrolluar të dielën rezidencën e ish-presidentit Santiago Peña, pranë kryeqytetit Asunción, në kuadër të hetimeve për falimentimin e Bankës Ueno, një skandal financiar që tronditi vendin dhe çoi në shkarkimin e tij nga detyra dhe arrestimin.

Prokurorët në Paraguai kanë kontrolluar të dielën rezidencën e ish-presidentit Santiago Peña, pranë kryeqytetit Asunción, në kuadër të hetimeve për falimentimin e Bankës Ueno, një skandal financiar që tronditi vendin dhe çoi në shkarkimin e tij nga detyra dhe arrestimin. Gjatë kontrollit në banesën e ish-kreut të shtetit, policia thuhet se ka zbuluar një kasafortë të fshehtë, të vendosur pas një muri të rremë. Sipas raportimeve të publikuara në rrjetet sociale, sistemi i sigurisë së saj ishte aq i avancuar sa oficerët nuk arritën ta hapnin menjëherë. Zbulimi ka shtuar pikëpyetjet mbi pasuritë dhe aktivitetin financiar të ish-presidentit. Sipas një deklarate të Prokurorisë, kontrolli lidhet me dyshimet për “shkelje të besimit” dhe “përvetësim të fondeve për qëllime personale”. Kriza financiare shpërtheu të martën, kur Banka Ueno u vendos nën administrimin e Bankës Qendrore të Paraguait dhe nisi procesi i likuidimit për shkak të pamundësisë për të përmbushur detyrimet financiare. Pasojat prekën rreth tre milionë klientë, të cilëve iu bllokuan kartat e kursimit, kreditit dhe debitit. Sipas fragmenteve të aktakuzës të publikuara nga Agence France-Presse, Peña, i cili deri në pranverën e vitit 2025 zotëronte aksione në grupin holding ku bënte pjesë banka, dyshohet se ka luajtur një rol qendror në përqendrimin e fondeve publike dhe burimeve të fondeve të pensioneve në Ueno. Shuma e përfshirë në këto transaksione vlerësohet në më shumë se 800 milionë dollarë. Një tjetër element i hetimit lidhet me dy kredi që ish-presidenti dyshohet se ka marrë nga banka në muajin maj, në vlerën totale prej 500 mijë dollarësh, të cilat, sipas akuzës, janë përdorur për financimin e ndërtimit të rezidencës që tashmë është kontrolluar nga prokurorët.

Santiago Peña, 47 vjeç, ishte në krye të Paraguait që prej vitit 2023 dhe mandati i tij pritej të përfnte në vitin 2028. Politikani konservator, i konsideruar aleat i Uashingtonit, u shpall fajtor nga Senati për keqpërdorim të detyrës dhe u shkarkua nga posti, pas një votimi unanim të senatorëve të pranishëm.

Pas shkarkimit, detyrën e presidentit e mori zëvendëspresidenti Pedro Ayana, i cili u betua si kreu i ri i shtetit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të prekur nga falimentimi i bankës që të mos paguajnë gjoba, tarifa për vonesat apo interesa shtesë për shkak të krizës.

Sipas kreut të ri të shtetit, rreth 1.2 milion depozitues kanë arritur të marrin paratë e tyre, pjesërisht ose plotësisht. Deri tani, shuma e kthyer arrin në afro 160 milionë dollarë, ndërsa procesi i rimbursimit pritet të vijojë edhe gjatë kësaj jave.

Hetimet për falimentimin e Bankës Ueno dhe rolin e ish-presidentit pritet të zbardhin më tej se si u menaxhuan fondet publike dhe ato të pensioneve, si dhe nëse një pjesë e tyre përfi në financimin e interesave personale. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb