Lajme Zone
EkonomiEuronews Albania

5.6 mld euro jashtë bankave, rekord historik për vendin


Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti shifrën 523 miliardë lekë në muajin korrik, ose 5.6 mld euro, çka përbën rekordin historik të të gjitha kohërave.

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti shifrën 523 miliardë lekë në muajin korrik, ose 5.6 mld euro, çka përbën rekordin historik të të gjitha kohërave. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se Shqipëria është duke u përmbytur nga një valë e paprecedentë cash-i në ekonomi, e cila, përveç trendit natyral që dikton informaliteti i lartë, po kushtëzohet edhe nga një faktor tjetër: ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Fushata agresive e blerjes së eurove nga Banka e Shqipërisë për të ndalur dobësimin e monedhës europiane ndaj lekut është duke rritur në mënyrë anormale jo vetëm ofertën monetare të vendit, por edhe sasinë e parave që qarkullojnë jashtë bankave. Përgjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka blerë gati 2 miliardë euro, ndërkohë që për këtë vit shifra e blerjeve pritet të jetë dukshëm mbi rekordin e vitit të kaluar. Kur BSH blen euro nga tregu, ajo injekton lekë në sistem. Vetëm përmes operacioneve për blerjen e valutës, BSH ka pompuar mbi 200 miliardë lekë në treg gjatë viteve 2024–2025. Të dhënat historike tregojnë se nga kjo shumë parash, përgjithësisht 80 për qind qëndrojnë si depozita në sistem, ndërsa 20 për qind dalin si cash jashtë bankave. Nëse këtyre u shtohet edhe shifra e blerë gjatë këtij viti, atëherë mbi 60 miliardë lekë cash jashtë bankave janë rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së BSH. Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve, baza monetare e vendit u rrit me 17.3 për qind në terma vjetorë, paraja jashtë bankave u rrit me 16 për qind, ndërsa agregati M2 është rritur me 16.7 për qind. Të gjitha në ritme dyshifrore. Banka e Shqipërisë e ka argumentuar blerjen agresive të eurove për të ndalur dobësimin e monedhës europiane ndaj lekut. Por blerjet agresive të valutës tashmë janë duke materializuar ato që quhen efektet e padëshirueshme. Së pari, përmbytja e tregut me lekë si pasojë e blerjes së eurove po dëmton objektivin për reduktimin e informalitetit. Së dyti, rritja e bazës monetare është duke ushqyer shtrenjtimin e çmimeve ose rritjen e inflacionit, i cili aktualisht ndodhet mbi objektivin 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.