Lajme Zone
5 policë të maskuar dhe armatosur i hyjnë në shtëpi qytetarit dhe i vjedhin 30 mijë €
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

5 policë të maskuar dhe armatosur i hyjnë në shtëpi qytetarit dhe i vjedhin 30 mijë €

Një grabitje e pazakontë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” në Elbasan, ku pesë persona të armatosur dhe të maskuar si punonjës policie kanë hyrë në një banesë, duke kërcënuar familjarët që ndodheshin brenda.

Një grabitje e pazakontë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” në Elbasan, ku pesë persona të armatosur dhe të maskuar si punonjës policie kanë hyrë në një banesë, duke kërcënuar familjarët që ndodheshin brenda.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05, kur autorët kanë hyrë në banesën e shtetasit L. Z. dhe i kanë kërkuar të tregonte se ku mbante paratë, si dhe nëse kishte armë pa leje apo lëndë narkotike.

Duke folur për mediat, ai ka treguar se personat kanë mbërritur me dy automjete që ngjanin me ato të policisë. Të veshur me uniforma, të maskuar dhe me pranga, ata i janë drejtuar me armë, duke i thënë: “Mos lëviz, Policia e Shtetit! Çohu se do të të marr me vete”.

Gjatë grabitjes, autorët kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash, ndërsa prania e familjarëve në banesë ka bërë që situata të marrë një tjetër drejtim. I dëmtuari ka treguar se fëmijët e tij të mitur dhe nëna janë tronditur rëndë nga ngjarja.

Ai ka deklaruar gjithashtu se në banesë mbante rreth 30 mijë euro, para që, sipas tij, i kishte siguruar nga puna jashtë vendit.

“Kam punuar në të zezë. Edhe policia më tha: ‘Pse ti me gjithë këto para?’. 30 mijë euro i kam siguruar nga puna jashtë. Nënës sime i ka rënë katër herë të fikët”, ka rrëfyer ai.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Me të konstatuar praninë e efektivëve, personat e dyshuar janë larguar drejt një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira, ndërsa kanë braktisur automjetet me të cilat dyshohet se kishin mbërritur.

Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë së Shtetit. Në vendngjarje janë mbledhur edhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Aktualisht, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë, ndërsa hetuesit po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.