Lajme Zone
KulturëEuronews Albania

40 vite mes zjarrit, hekurit dhe çekanit, Merita sfidoi një zanat të “burrave”: Po ta kesh qejf, e bën (VIDEO)


Merita Hodja ka zgjedhur të sfidojë një profesion të konsideruar tradicionalisht për burra, duke punuar çdo ditë krah bashkëshortit të saj në një punishte në Peqin.

Merita Hodja ka zgjedhur të sfidojë një profesion të konsideruar tradicionalisht për burra, duke punuar çdo ditë krah bashkëshortit të saj në një punishte në Peqin. Zjarri, hekuri dhe çekani janë pjesë e përditshmërisë së Meritës prej 40 vitesh ndërsa kovaçania, një zanat i trashëguar brez pas brezi dhe i konsideruar kryesisht si profesion burrash, për të është kthyer në një pjesë të pandarë të jetës. Në Peqin, ajo punon çdo ditë krah bashkëshortit të saj, Sabriut. “Në fillim qe pak e vështirë, e lodhshme, pastaj fillova që ia mora dorën dhe s’e kam më aq problem. Sa vite ke ti që e ke ushtruar? Kam 40 vjet. Punojmë të dy për çdo gjë… Aty kemi rritur fëmijët, me këtë…”, thotë ajo. Për Meritën, kovaçania nuk është thjesht një punë e rëndë fizike. Është një zanat që e ka mësuar me kalimin e viteve dhe që sot e ushtron pa e konsideruar të pazakontë për një grua. Për të, gjithçka nis nga dëshira për ta bërë këtë punë. “Po ta kesh qejf, e bën. Edhe nuk është edhe aq e vështirë sa e mendojnë të tjerët. Se po ta marrësh me qejf, e bën, pastaj me lodhje, me gjëra. Çdo punë ka lodhjen e vet. Çdo punë ka vështirësinë e vet”, thotë Merita. Pas kësaj historie qëndron edhe një familje e lidhur prej dekadash me kovaçaninë. Sabri Hodja e ka trashëguar zanatin nga i ati, por nuk mundi ta mësonte drejtpërdrejt prej tij, pasi babai humbi shikimin. Ishte një mik i familjes, Ruzhdi Sinani, ai që e afroi me profesionin dhe e ndihmoi të mësonte zanatin. “Babai im e ka punuar këtë punë, por u qorru nga sytë edhe unë nuk arrija ta mësoja këtë zanat. Falë një mikut tim, shokut tim, Ruzhdi Sinani, që më ka mbajt shumë afër… Unë arrija që t’ia vjedhja, se kështu e kisha atë dëshirën”, thotë Sabri Hodja. Në këtë punishte, puna nuk ka qenë vetëm një mënyrë për të siguruar të ardhurat. Këtu çifti ka rritur fëmijët dhe ka ndarë për dekada lodhjen e këtij profesioni. Sot, Sabriu thotë se është i vetmi kovaç që e ushtron ende këtë zanat në Peqin. “40 vite, po mund të kemi edhe më tepër, po 40 vite që punojmë me gruan. Shkenca ka ecur përpara, por prapëseprapë do të ketë defekte puna, do vijë këtu”, thotë ai. Por vazhdimësia e zanatit përballet me një tjetër vështirësi: mungesën e të rinjve që duan ta mësojnë. Sipas Sabriut, shumë prej tyre zgjedhin profesione të tjera, ku mundësitë për të ardhura janë më të mëdha. “Nuk e do që ke çmimet për shembull. Ai do të ikë të bëjë punë më të mëdha, të marrë më shumë lekë. Kurse unë kurrë nuk e kam shikuar këtë gjë, jam i kënaqur, jam i lumtur me këtë punë time. Unë do isha me mendimin që edhe në shkollë, edhe këtu në praktikë. Të marrë njohuri në shkollë, të vinte prapë të punonte këtu në bazë”, thotë Sabriu. Mes zjarrit dhe hekurit, historia e kësaj punishteje është edhe historia e një gruaje që prej 40 vitesh punon në një profesion që ende shihet nga shumëkush si “punë burrash”. Merita nuk ka zgjedhur ta ndryshojë këtë perceptim me fjalë, por me punën e saj. Dhe pas katër dekadash, ajo vazhdon t’i japë formë hekurit me duart e saj.