Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes kanë njoftuar se po vijojnë angazhimin për përballimin e situatës së zjarreve në disa zona të vendit. Në njodtim theksohet se efektivët janë të përqendruar në Mat, Lezhë dhe Fier, ku po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Ndërkaq, autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. Njoftimi i plotë: “Forca Tokësore vijon angazhimin operacional në mbështetje të autoriteteve civile dhe komuniteteve të prekura nga zjarret 🔥, në zonat përreth Matit, Lezhës dhe Fierit. Efektivë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut janë angazhuar në terrene të vështira, duke vepruar me disiplinë, koordinim dhe vendosmëri për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe për mbrojtjen e zonave të banuara. Operacionet zhvillohen në koordinim të ngushtë me strukturat e Emergjencave Civile, shërbimet zjarrfikëse, pushtetin vendor dhe institucionet e tjera të përfshira në menaxhimin e situatës. Të nderuar qytetarë! Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura dhe mos neglizhoni asnjë vatër zjarri. Raportoni menjëherë çdo rast zjarri pranë strukturave përkatëse. 🇦🇱 Forca Tokësore vijon të qëndrojë në mbështetje të autoriteteve civile dhe komuniteteve, për mbrojtjen e jetës dhe pronës”
