Presidenti Bajram Begaj këtë të premte përmes një postimi në “Facebook” ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit ndaj SHBA-ve ku humbën jetën 2977 persona. Begaj shkruan se gjatë këtyre viteve, Amerika i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë. Ai rikonfirmoi angazhimin e vendit tonë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e një bote më të sigurt e më të paqtë për brezat që vijnë. “Sot, në këtë 25-vjetor të sulmeve të 11 shtatorit ndaj SHBA-ve, ne nderojmë kujtimin e 2977 viktimave të pafajshme që humbën jetët e tyre, si dhe shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin tonë me familjet e të dashurit e tyre. Ka kaluar një çerek shekulli, por për Amerikën, ne dhe aleatët tanë, më të cilët ndajmë të njëjtat vlera, 11 shtatori është aty si një kujtesë kolektive që ka riformësuar jetët tona me dëshminë se ideologjitë urrejtëse sjellin pasoja të tmerrshme. Gjatë këtyre viteve, Amerika, ky komb i madh e i fortë, i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë. Në këtë ditë të përkujtimit, ne rikonfirmojmë angazhimin tonë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e një bote më të sigurt e më të paqtë për brezat që vijnë”, shkruan Begaj. 25 vjet nga 11 Shtatori, sulmi terrorist në SHBA që tronditi botën

