Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë problematikën me furnizimin me energji elektrike në fshatin Shkinak, në Bashkinë Kukës.
Sipas tij, banorët përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, ndërsa furnizimi, kur rikthehet, është i pamjaftueshëm.
“Vijnë dhe na presin dritat, që veç ‘dritë’ nuk i thuhet kësaj. Çfarë duhet të paguajmë ne që as nuk shohim, e jo më të përdorim pajisjet e tjera shtëpiake?”, shprehet qytetari.
Ai thotë se rreth një muaj më parë energjia elektrike u është ndërprerë banorëve dhe kërkon që problematika të bëhet publike, duke ngritur shqetësimin se si mund të paguajnë për energjinë kur, sipas tij, nuk kanë një furnizim normal.
Banori u bën apel institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në zonë.

