Lajme Zone
Familjarët e kërkonin në JOQ: Studenti shqiptar gjendet i pajetë, u identifikua nga tatuazhi
Të tjeraJOQ Albania

Familjarët e kërkonin në JOQ: Studenti shqiptar gjendet i pajetë, u identifikua nga tatuazhi

Pak javë më parë, familjarët e Ferdinand Nokajt iu drejtuan redaksisë së JOQ Albania, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e 26-vjeçarit shqiptar që jetonte dhe studionte në Itali. Prej ditësh ata kishin humbur çdo kontakt me të dhe nuk dinin asgjë për vendndodhjen e tij.

Pak javë më parë, familjarët e Ferdinand Nokajt iu drejtuan redaksisë së JOQ Albania, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e 26-vjeçarit shqiptar që jetonte dhe studionte në Itali. Prej ditësh ata kishin humbur çdo kontakt me të dhe nuk dinin asgjë për vendndodhjen e tij.

Sot, historia e kërkimit të Ferdinandit ka marrë një kthesë tragjike.

I riu, i lindur në Itali dhe me origjinë shqiptare, ishte parë për herë të fundit më 30 gusht pranë stacionit të trenit në Rovereto, pasi kishte përfunduar punën. Familjarët nuk e dinin se në të njëjtën kohë autoritetet italiane do të përballeshin me gjetjen e trupit të një të riu, i cili për javë të tëra do të mbetej i paidentifikuar.

Më 30 gusht, vetëm pak orë para mesazhit të fundit, Ferdinandi i kishte treguar familjes se ishte sulmuar në Rovereto nga disa djem shqiptarë. Sipas familjarëve, ai kishte shenja në fytyrë dhe ishte i frikësuar.

Babai i kishte kërkuar të shkonte menjëherë te karabinierët për të denoncuar ngjarjen.

“Kjo është ajo që po mendoj të bëj, babi”, i ishte përgjigjur Ferdinandi.

Por nuk rezulton që ai të jetë paraqitur te autoritetet.

Në orën 17:21, Ferdinandi kishte folur me vëllain e tij nga stacioni i trenit në Rovereto. Familjarët mendojnë se ai mund të ketë pasur ndërmend të kthehej në shtëpi.

Më pas, në orën 19:16, vëllai i shkruan: “Si je?”

Përgjigjja e Ferdinandit ishte e shkurtër dhe do të ishte komunikimi i fundit me familjen:

“Ende gjallë.”

Pas këtij mesazhi, ai nuk do të përgjigjej më.

Familja nis kërkimet

Të nesërmen, vëllai i Ferdinandit denoncoi zhdukjen e tij te karabinierët e Fanos.

Kontrollet mbi telefonin e të riut çuan deri në Termeno sulla Strada del Vino, në Tirolin e Jugut, ku ishte regjistruar sinjali i fundit i celularit, rreth 64 kilometra larg Roveretos.

Familjarët kishin edhe dyshimin se Ferdinandi mund të ishte larguar drejt Austrisë, por theksonin se kjo ishte vetëm një hipotezë dhe se nuk kishin asnjë konfirmim për këtë.

Prindërit, të cilët ndodheshin në Shqipëri, ndërprenë pushimet dhe u nisën drejt Italisë. Më 1 shtator ata ndodheshin në Rovereto dhe nisën kërkimet për djalin e tyre.

Babai udhëtonte vazhdimisht nëpër Trentino, duke kërkuar informacione nga miqtë, të njohurit dhe autoritetet.

Por pa rezultat.

Trupi ishte gjetur vetëm pak ditë pas zhdukjes

Më 5 shtator, në brigjet e lumit Adige, në Grumo, në komunën e San Michele all’Adige, u gjet trupi i pajetë i një të riu.

Vendndodhja ishte rreth 42 kilometra larg Roveretos.

Por trupi nuk u identifikua si ai i Ferdinandit.

Ndërsa familja vazhdonte ta kërkonte, trupi i të riut qëndronte në morgun e spitalit Santa Chiara në Trento, pa u lidhur me rastin e 26-vjeçarit të zhdukur.

Në mes të shtatorit, babai i Ferdinandit iu drejtua avokatit Francesco Bonatesta. Më 18 shtator, avokati i kërkoi Komisariatit të Qeverisë për Provincën e Trentos aktivizimin e planit provincial për kërkimin e personave të zhdukur.

Familja vazhdonte të shpresonte se Ferdinandi do të gjendej.

Telefonata që i dha fund kërkimit

Në mbrëmjen e 24 shtatorit, rreth orës 23:10, babai mori telefonatën nga karabinierët e Roveretos.

Më pas, ai u shoqërua në spitalin Santa Chiara të Trentos, ku përballë tij ishte trupi i pajetë i djalit që familja kishte kërkuar për javë të tëra.

Babai e identifikoi Ferdinandit nga fytyra, por edhe nga një tatuazh në gjoks. Ferdinandi kishte lindur në Fano të Italisë dhe jetonte me familjen në Colli al Metauro. Prej rreth pesë vitesh jetonte në Rovereto, ku studionte psikologji, ndërsa gjatë verës punonte në një piceri.

Për vdekjen e 26-vjeçarit po heton Prokuroria e Trentos, e cila ka hapur një dosje për nxitje të vetëvrasjes. Rrethanat e plota të ngjarjes, përfshirë atë që i parapriu zhdukjes së tij, janë ende objekt hetimi nga autoritetet italiane.