Varianti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale, i cili me gjasë do të zbatohet për shkak të votave që mazhoranca ka në Kuvend, tregon se ndarja e re nuk merr në konsideratë vetëm numrin e banorëve. Partia Socialiste, në draftin që dorëzoi në Kuvend, propozoi konsolidimin e 15 bashkive: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.
Sipas të dhënave të Censit 2023, nga 46 bashkitë që mbeten, 10 kanë më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre janë Himara, Dropulli, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Memaliaj, Puka, Delvina, Konispoli dhe Pusteci.
Pusteci, me vetëm 1.8 mijë banorë, është bashkia më e vogël në vend, por vijon të ruhet si njësi më vete. Edhe Konispoli, me 4.9 mijë banorë, ka popullsi të përafërt me Fushë-Arrëzin dhe shumë më të vogël se disa prej bashkive që shkrihen.
Analiza e të dhënave të Censit 2023 tregon se riorganizimi nuk kufizohet vetëm te bashkitë me popullsi shumë të vogël.
Humbin statusin bashki me mbi 20 mijë banorë
Në listën e njësive që humbasin statusin e bashkisë janë përfshirë edhe bashki relativisht të mëdha, me mbi 20 mijë dhe deri në 31 mijë banorë.
Në total, 15 bashkitë e parashikuara për t’u bashkuar me bashki më të mëdha kanë rreth 224 mijë banorë, ose afërsisht 9.3% të popullsisë së vendit. Popullsia mesatare e tyre është rreth 15.6 mijë banorë, ndërsa gjysma kanë më shumë se 14.8 mijë banorë.
Bashkia më e madhe që pritet të humbasë statusin është Maliqi, me 31 mijë banorë. Ajo renditet e 18-ta ndër 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë dhe ka më shumë banorë se 43 bashki të tjera.
Pas Maliqit, njësitë më të mëdha që shkrihen janë Dimali, me 28.1 mijë banorë, Cërriku, me 25.2 mijë, dhe Divjaka, me 24.9 mijë banorë. Këto katër bashki kanë së bashku rreth 109 mijë banorë dhe përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së njësive që preken nga reforma.
Në listë përfshihen gjithashtu Përrenjasi, me 18.8 mijë banorë, Patosi, me 18.2 mijë, dhe Belshi, me 17.1 mijë banorë.
Në total, 7 nga 14 bashkitë që shkrihen kanë më shumë se 15 mijë banorë, ndërsa 9 prej tyre kanë mbi 10 mijë banorë.
Bashkitë e tjera të përfshira në variantin e PS-së janë Rrogozhina, me 12.6 mijë banorë, Klosi, me 12.2 mijë, Selenica, me 9.6 mijë, dhe Poliçani, me 8.8 mijë banorë.
Në fund renditen Fushë-Arrëzi, me 4.9 mijë banorë, Këlcyra, me 4.4 mijë, dhe Libohova, me më pak se 2.8 mijë banorë.
Konsolidimi rrit madhësinë mesatare të bashkive
Me kalimin nga 61 në 47 bashki, popullsia mesatare teorike për një bashki do të rritej nga rreth 39.4 mijë në mbi 51 mijë banorë.
Në praktikë, rritja do të varet nga mënyra se si territori dhe popullsia e 14 bashkive do të shpërndahen te njësitë pritëse.
Konsolidimi synon të krijojë bashki me administrata më të mëdha dhe me bazë më të gjerë popullsie dhe të ardhurash. Por përfshirja e njësive si Maliqi, Dimali, Cërriku dhe Divjaka tregon se reforma nuk po eliminon vetëm bashkitë që janë bërë të paqëndrueshme për shkak të tkurrjes demografike.
Në disa zona po shkrihen njësi që kanë më shumë banorë se shumë prej bashkive që do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Kjo e zhvendos debatin nga pyetja se cilat bashki janë shumë të vogla, te mënyra se si janë zgjedhur qendrat që do të konsolidohen dhe njësitë që do të ruajnë statusin administrativ./ Monitor Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

