Aryna Sabalenka ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të tërhequr vëmendjen në US Open: tenistja numër 1 në botë u shfaq në fushë me një set bizhuterish që përmban më shumë se 127 karat gurë të çmuar.
Sabalenka i mbajti bizhuteritë gjatë ndeshjes së dysheve të përziera, ku luajti përkrah Novak Djokovic. Seti përbëhet nga një gjerdan, një byzylyk dhe një palë vathë, të krijuar nga shtëpia njujorkeze e bizhuterive Material Good.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë marka, seti ka një peshë totale prej 127.14 karatësh. Vetëm gjerdani përmban 83.20 karat, ndërsa byzylyku 28.36 karat dhe vathët 15.58 karat.
Në krijim janë përdorur një gamë e gjerë gurësh të çmuar dhe gjysmë të çmuar, mes tyre safirë, turmalinë, granatë, zirkon, spinel, krizoberil, tanzanit dhe tsavorit.
Dizajni është menduar posaçërisht për Sabalenkën dhe për atmosferën e New York-ut. Gjerdani është ndërtuar me baza të hapura që u japin gurëve lëvizshmëri gjatë përdorimit, një detaj që lidhet me mënyrën dinamike të lëvizjes së tenistes në fushë.
Seti është pjesë e The Silhouette Suite, koleksionit të Material Good të krijuar në bashkëpunim me Sabalenkën. Çmimi i bizhuterive nuk është bërë publik dhe marka i ofron ato vetëm me kërkesë.
Pas paraqitjes në fushë, Sabalenka u shfaq edhe në dyqanin e Material Good në Manhattan, ku u prezantua zyrtarisht koleksioni. Tenistja i veshi sërish bizhuteritë gjatë eventit.
“Bizhuteritë janë një mënyrë për mua për të shprehur veten, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, është shprehur Sabalenka.
Bashkëpunimi me Material Good ka shoqëruar tenisten edhe në turnetë e tjerë Grand Slam. Për Roland Garros, marka krijoi për të një tjetër set me granatë, ndërsa për Wimbledon u përdorën smeraldë, duke i dhënë secilit turne një identitet të veçantë përmes bizhuterive. Burime: Page Six

