Qeveria mendon se problemi është komunikimi me qytetarin, ndërsa protesta thotë se problemi janë rregullat. Qeveria mendon se duhet t’i shpjegojë qytetarit më mirë çfarë ka bërë; protesta kërkon që qytetari të ketë më shumë fuqi për të vendosur se çfarë mund të bëjë qeveria. Njëra palë kërkon një pasqyrë më të mirë të realitetit, tjetra kërkon të ndryshojë realitetin që pasqyra tregon... Me pamjen e një Kristofor Kolombi që sapo kishte zbuluar një tokë të panjohur, vajza e presidentit amerikan Trump, Ivanka, tregoi në një intervistë të dhënë kohë më parë se kishte zbuluar një ishull të mrekullueshëm, në të cilin kishte ecur këmbëzbathur deri në majë dhe kishte parë një vend të egër, shumë të bukur dhe me një potencial të jashtëzakonshëm. Ishulli quhej Sazan. Shqiptarët, natyrisht, e dinin prej kohësh se ai ishull ishte aty, por kur një vend të vogël e zbulon një njeri i famshëm, zbulimi merr një rëndësi tjetër dhe vendasit mund të fillojnë të dyshojnë nëse e kanë njohur vërtet vendin e tyre.
Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, tregoi edhe ai se kishte dalë për shëtitje me jahtin e një miku miliarder, Rothschild, dhe kësaj shoqërie të këndshme i ishte bashkuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kushnerit i kishte bërë përshtypje vizioni largpamës i kryeministrit shqiptar dhe, rreth një vit më vonë, kishte vendosur të investonte për ngritjen e një resorti superluksoz në Sazan, në bashkëpunim me disa fonde arabe. Qeveria, ndërkohë, ishte mbledhur, kishte ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura dhe Parlamenti e votoi ndryshimin po me kaq shpejtësi.
Ndërkohë, në lagunën përballë, në Zvërnec, një kompani shqiptare kishte nisur rrethimin me tela me gjemba të një pjese të parkut të mbrojtur, duke përfshirë edhe zonën bregdetare, ndërsa buldozerët e rëndë kishin hyrë për të përgatitur infrastrukturën e një tjetër resorti. Konfliktet e pronësisë nxorën banorët vendas në protestë.
Ambientalistët kishin kohë që jepnin alarmin për rreziqet ndaj florës, faunës dhe specieve të rralla të lagunës, por, në Shqipërinë e lodhur, ku njerëzit kanë një mijë halle më të afërta me bukën, pagën, ilaçet dhe ikjen e fëmijëve jashtë, zëri i tyre kishte rënë në vesh të shurdhër. E kush pyeste për ca pelikane që ushqeheshin me bretkosa, për ca breshka dhe për ca zogj e insekte të tjerë, që nuk ua di emrin njeri?
U desh ndërhyrja brutale e njerëzve të një kompanie private sigurie, goditja e një banori vendas, lënia e tij pa ndjenja dhe më pas tërheqja zvarrë nëpër fushë, që shqiptarëve t’u hapeshin sytë.
Pamjet bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe njerëzit filluan të shikonin njëri-tjetrin të habitur e të trembur. Ajo që deri atëherë dukej si një konflikt lokal pronësie dhe një luftë donkishoteske për të mbrojtur ca zogj, u bë papritur diçka tjetër.
Njerëzit dolën në rrugë pa i thirrur ndonjë parti, pa autobusë, pa lista, pa degë partie dhe pa patronazhistë që të shënonin emrat. Opozita zyrtare, me në krye Sali Berishën, e zënë në atë kohë me përpjekjet për të siguruar një vizë për një udhëtim në Amerikë, që më pas t’u tregonte shqiptarëve se nuk ishte më “non grata”, nxitoi të distancohej nga protesta dhe të sqaronte se Partia Demokratike ishte pro investimit të Kushnerit, sepse një investim i tillë ishte fat i madh që më në fund po i vinte atdheut tonë të varfër. Helbete, investitori në këtë rast ishte dhëndri i presidentit amerikan dhe, për Sali Berishën, kaq mjaftonte që të dilte në mbrojtje, ndoshta jo për herë të parë, të praktikave të qeverisë Rama, të cilën e sulmonte nga mëngjesi në darkë si narkoshtet.
Por shqiptarët e rinj, një pjesë e mirë e të cilëve kanë lindur dhe janë rritur gjatë viteve që ne vazhdojmë t’i quajmë demokraci, bënë një pyetje që politika nuk e kishte parashikuar: e kujt është Shqipëria? A është atdheu ynë apo një mall që mund të ndahet, të rrethohet, të jepet dhe t’i ndryshohet statusi juridik në varësi të emrit dhe fuqisë financiare të atij që troket në derën e qeverisë? Ata e quajtën përgjegjëse gjithë klasën politike për gjendjen. Protestat e mëdha dhe të papara ndonjëherë në Shqipëri shpërthyen në rrugët e Zvërnecit dhe mbushën, si asnjëherë më parë, bulevardin e madh të Tiranës me thirrjet: “Atdheu nuk është në shitje!”
Përballë kësaj thirrjeje u vunë menjëherë shifrat. Katër miliardë këtu, pesë miliardë atje, miliarda dollarë dhe euro që fluturonin mbi kokat e shqiptarëve me një lehtësi të tillë, sa njeriu fillonte të ndihej fajtor po të pyeste se ku ishin projektet, kontratat, burimet e financimit dhe afatet konkrete. Kur përmenden miliardat, qytetari duhet të mahnitet dhe të heshtë, sepse çdo pyetje mund të interpretohet si armiqësi ndaj zhvillimit.
Shqiptarët e kishin dëgjuar këtë muzikë edhe më parë. E kishin dëgjuar kur u fol për transformimin e portit të Durrësit, për dy apo tre miliardë dollarë investime, për një port jahtesh që do ta kthente qytetin në një Dubai të Adriatikut, për kapital të madh ndërkombëtar dhe për një zhvillim që do të ndryshonte gjithë zonën. Pastaj, dalëngadalë, pas miliardave u shfaq një mekanizëm shumë më tokësor: apartamente të shitura në gropë, paratë e shitjeve që ndihmojnë në financimin e ndërtimeve të tjera dhe një model shumë më i lidhur me tregun e pronave sesa me lumin e kapitalit të huaj, për të cilin ishte krijuar përshtypja se do të derdhej në Shqipëri.
Pak e nga pak, në dritë filluan të dalin lidhje të çuditshme mes grabitjes së pronës, parave të drogës dhe investitorëve që ndryshojnë emrat çdo sezon. Dhe lumi i protestës, apo i ashtuquajturi “Revolucioni Flamingo”, mori rrugën e vet, që sot mbush 100 ditë.
Por gjatë këtyre njëqind ditëve ka ndodhur diçka edhe më e rëndësishme. Kanë ndryshuar vetë kërkesat e protestës. Ajo që filloi me Zvërnecin, me zonat e mbrojtura, me transparencën e projekteve dhe me anulimin e disa ndryshimeve ligjore, dalëngadalë ka kapërcyer çështjen që e nxori në rrugë. Protestuesit kanë filluar të kuptojnë se një ligj mund të anulohet sot dhe një tjetër i ngjashëm mund të votohet nesër, se një projekt mund të ndalet në një vend dhe të shfaqet në një tjetër dhe se, nëse nuk ndryshon mekanizmi që i prodhon këto vendime, beteja do të fillojë çdo mëngjes nga e para.
Prandaj protesta sot nuk kërkon më vetëm anulimin e disa ligjeve dhe as vetëm transparencë për Sazanin, Zvërnecin apo projektin e radhës. Ajo kërkon t’i jepet fund tranzicionit. Jo duke shpallur me dekret se tranzicioni mbaroi, por duke ndryshuar sistemin politik që e prodhon dhe e riprodhon atë çdo ditë.
Sepse tranzicioni shqiptar nuk është më një periudhë kalimi nga një sistem te një tjetër. Pas 35 vjetësh, ai është bërë një mënyrë qeverisjeje. Qeveritë ndërrohen, por partia që vjen në pushtet trashëgon administratën, burimet e shtetit dhe tundimin për t’i përdorur ato; biznesi vazhdon të kërkojë afërsinë me politikën, ligji vazhdon të përkulet përballë interesit të fuqishëm dhe institucionet mbeten tepër të varura nga njerëzit që i drejtojnë.
Kështu, kërkesa e protestës është bërë më radikale në kuptimin e vërtetë të fjalës: ka shkuar te rrënja e problemit. Nuk kërkon vetëm largimin e një qeverie për të sjellë një tjetër që do të përdorë të njëjtat rregulla. Shqipëria e ka provuar këtë disa herë dhe çdo rotacion është paraqitur si fillimi i një epoke të re, ndërsa pas pak vitesh kemi përfunduar duke diskutuar përsëri të njëjtat sëmundje.
Protesta kërkon rregulla të reja të lojës demokratike. Kërkon ndryshimin e mënyrës se si zgjidhen përfaqësuesit, në mënyrë që qytetari të ketë më shumë pushtet mbi atë që dërgon në Parlament dhe kryetari i partisë të ketë më pak pushtet mbi listën e atyre që do të bëhen deputetë. Sepse një deputet që ia detyron vendin e tij kryetarit ka shumë më tepër arsye t’i bindet kryetarit sesa qytetarit që teorikisht përfaqëson.
Ajo kërkon ndryshim edhe të mënyrës se si merren vendimet e mëdha. Nuk mund të jetë normale që vendime që ndryshojnë përdorimin e territorit, statusin e zonave të mbrojtura apo fatin e pasurive publike të kalojnë nga qeveria në Parlament me shpejtësi, ndërsa qytetarëve t’u mbetet vetëm e drejta t’i marrin vesh pasi janë marrë. Demokracia nuk është vetëm e drejta për të zgjedhur një qeveri çdo katër vjet dhe pastaj për t’i dhënë asaj një çek të bardhë për gjithçka që ndodh deri në zgjedhjet e ardhshme.
Protesta ka ngritur edhe çështjen e kufizimeve kohore për drejtuesit më të lartë të shtetit dhe të politikës. Një demokraci ku të njëjtët njerëz mund të drejtojnë për dekada prodhon jo vetëm pushtet, por edhe rrjete pushteti, varësi, interesa ekonomike dhe institucione që mësohen të funksionojnë rreth personit. Kufizimi i mandateve nuk është dënim për një politikan të suksesshëm. Është mekanizëm mbrojtës për sistemin, sepse demokracia nuk ndërtohet mbi bindjen se do të kemi gjithmonë një njeri të mirë në krye, por mbi rregulla që e kufizojnë edhe njeriun më të mirë.
Po kështu, kërkohet ndarje reale e pushteteve, jo ndarja që shkruhet bukur në Kushtetutë dhe pastaj tretet në praktikë. Parlamenti nuk mund të jetë noter i qeverisë, institucionet e pavarura nuk mund ta masin pavarësinë e tyre me marrëdhënien që kanë me kryeministrin e radhës dhe administrata nuk mund të jetë një territor ku shteti dhe partia bashkëjetojnë deri në atë pikë sa mezi kuptohet ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetra.
Kjo është arsyeja pse protesta e njëqind ditëve është e pazakontë. Ajo nisi nga një konflikt konkret, por sot nuk pyet vetëm se çfarë do të bëhet me një lagunë. Pyet se si duhet të funksionojë Republika. Dhe kjo e bën më të vështirë për t’u tretur sesa një protestë që kërkon vetëm dorëheqjen e një ministri, sepse ministrin mund ta ndryshosh dhe të vazhdosh me të njëjtin sistem, ndërsa këtu po kërkohet të ndryshojë vetë sistemi.
Pikërisht për këtë arsye, lufta ndaj saj ka qenë kaq e fortë. Protestuesit janë quajtur korba, sorra, të shitur, të blerë. Janë quajtur të dëshpëruar, humbës, mjeranë, të manipuluar dhe, kur fjalori vendas nuk ka mjaftuar, janë thirrur në ndihmë edhe agjentët e huaj. Protestuesit janë shpallur, sipas rastit, agjentë të Greqisë, të Serbisë, të Iranit apo agjentë të kujtdo që duhet atë javë.
Dhe si përgjigjet qeveria pas njëqind ditësh? Në vend që të thotë se duhet të ndryshojë mënyrën se si qeveriset, ka thënë se duhet të ndryshojë mënyra se si njerëzit e shohin qeverisjen. Duhet t’u shpjegohen më mirë arritjet, duhet t’u tregohet se si t’i lexojnë zhvillimet dhe duhet të krijohen mekanizma të rinj afrimi me qytetarin, me emra që tingëllojnë bukur e shqiptarisht: “Besa”, “Prania Besnike”, “Pasqyra Albania”.
Por pikërisht këtu ndahen dy filozofitë. Qeveria mendon se problemi është komunikimi me qytetarin, ndërsa protesta thotë se problemi janë rregullat. Qeveria mendon se duhet t’i shpjegojë qytetarit më mirë çfarë ka bërë; protesta kërkon që qytetari të ketë më shumë fuqi për të vendosur se çfarë mund të bëjë qeveria. Njëra palë kërkon një pasqyrë më të mirë të realitetit, tjetra kërkon të ndryshojë realitetin që pasqyra tregon.
Në fund, kjo është edhe arsyeja pse, pas njëqind ditësh, protesta nuk mund të matet vetëm me numrin e njerëzve që dalin çdo mbrëmje në shesh. Qëndrueshmëria e saj ka bërë diçka më të rëndësishme: ka zhvendosur debatin nga një gardh te prona, nga prona te ligji, nga ligji te qeverisja dhe nga qeverisja te vetë sistemi politik.
Njëqind ditë më parë, pyetja ishte se çfarë po ndodhte në një fushë pranë lagunës së Zvërnecit. Sot pyetja është se përse, pas 35 vjetësh, vazhdojmë të kemi një sistem që prodhon të njëjtat konflikte, të njëjtin përqendrim pushteti dhe të njëjtën nevojë për ta filluar tranzicionin nga e para pas çdo palë zgjedhjesh. Protesta e ka dhënë përgjigjen e saj: nuk mjafton të ndërrojmë njerëzit në krye, nëse nuk ndryshojmë rregullat që u japin atyre të njëjtin pushtet. Pas njëqind ditësh, protesta është padyshim fitimtarja. Ajo dikton sot ngjarjet e ditës, dinamikën e politikës, axhendën e mazhorancës dhe debatin politik në vend.
Arritja më e madhe e këtyre 100 ditëve është se, ndërsa Ivanka “zbuloi” Sazanin, shqiptarët i njohën më mirë politikanët e tyre. Zbuluan se ata që hiqen si kundërshtarë, në fakt, janë njëlloj dhe se, në luftën për ndryshim, nuk mund të mbështeten tek opozita që “shitet për një vizë”. Prandaj, në këto 100 ditë, ata zbuluan diçka edhe për veten e tyre. Zbuluan se nuk mjaftohen më me rolin e spektatorit, por kanë vendosur të kërkojnë llogari për vendimet që merren për territorin, pronën publike dhe të ardhmen e vendit dhe se do të kundërshtojnë jo vetëm një projekt, por gjithë mënyrën se si merren vendimet. Në fund, kjo është edhe çështje sovraniteti: jo një fjalë e madhe për ceremonitë zyrtare, por e drejta e qytetarëve për të pasur fjalën e tyre në Shqipërinë që u përket.protesta gëllçi 100 ditë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Një funeral në Beograd dhe një mësim për Shqipërinë! 7 Shtator 2026, 18:3418:34Forum Nga Thaçi te Jack Smith: Si e humbi drejtësia ndërkombëtare besueshmërinë 7 Shtator 2026, 18:2418:24Forum Çeta e Sali Kullës 7 Shtator 2026, 11:2611:26Forum Bilanci një vjeçar i “Diellës” 7 Shtator 2026, 08:3108:31Forum Zëri i Mirandolinës në trupën e aktorëve të rinj 6 Shtator 2026, 20:2820:28Forum Heshtja para ardhjes së ambasadorit Eric Wendt, kush do të spiunojë kë te amerikanët? 6 Shtator 2026, 17:3817:38Forum

