Plot 100 ditë në shesh kundër qeverisë! Protesta qytetare, e cila nisi si një lëvizje në mbrojtje të zonës Vjosë-Nartë nga ndërtimi i një resorti luksoz, shënon sot një rekord prej 100 ditësh. E nisur më 31 maj, protesta mori emrin "Revolucioni Flamingo", me qëllimin e saj primar asokohe: mbrojtjen e shpendëve që kishin habitatin e tyre në zonën e Vjosë-Nartës, aty ku buldozerët nisën shkatërrimin e një natyre të mbrojtur.
Por, shumë shpejt, protesta e iniciuar fillimisht nga aktivistë e qytetarë vlonjatë që kundërshtonin ndërtimin në zonën e mbrojtur, mori përmasa kombëtare e ndërkombëtare.
Përplasja mes qytetarëve dhe rojeve private në Zvërnec solli organizimin e një proteste masive në Tiranë, ku çdo ditë qytetarët marshonin nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë me një mesazh kryesor: "Shqipëria nuk është në shitje".
Pankartat, thirrjet, mesazhet ishin të shumta nga ditë në ditë. Protestuesit tashmë kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Rama për korrupsionin masiv, shpopullimin dhe emigracionin masiv, shëndetësinë e munguar, arsimin e pa financuar e shumë problematika të tjera që çdo ditë i bërtisnin para zyrës së kryeministrit.
Protesta u shtri në qytetet e tjera të Shqipërisë, nga Tirana në Elbasan, Korçë, Shkodër, Vlorë, e të tjerë, për të kaluar më pas kufirin. Diaspora u sensibilizua na Gjermani në Belgjikë, Itali, Spanjë, Britaninë e Madhe, SHBA, duke përsëritur kërkesat e qytetarëve.
Mediat ndërkombëtare i bënë jehonë protestës, ndërsa shumë turistë kërkonin të shihnin nga afër dhe të ishin pjesë e "Revolucionit Flamingo".
Sot, protesta shënon ditën e 100-të, ndërsa qytetarët kanë paralajmëruar përshkallëzim të tubimeve. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

