Një situatë alarmante raportohet në Ungrej të Lezhës. Deputeti Agron Gjekmarkaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ngritur alarmin për përhapjen e zjarrit në zonën e Rrasit dhe Zimajt. Sipas tij, flakët po përparojnë me shpejtësi dhe janë afruar pranë banesave. Gjekmarkaj thekson se rrezikohen gjithashtu kishat dhe varrezat e fshatrave. Ai u bën thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërhyrje urgjente me të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion. Sipas tij, çdo vonesë mund ta rëndojë më tej situatën për banorët e zonës. Postimi i Agron Gjekmarkajt:
ALARM NË UNGREJ! Situatë tejet e rëndë në Rras dhe Zimaj, Njësia Administrative Ungrej, Lezhë. Zjarri po përparon me shpejtësi dhe flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave, kishave dhe varrezave të fshatrave.
Nuk kërcënohen vetëm pyjet. Rreziku ka mbërritur pranë shtëpive dhe vendeve të shenjta ku prehen të afërmit e këtij komuniteti.
Banorët janë përballë një situate alarmante dhe kërkohet ndërhyrje urgjente dhe e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, me të gjitha mjetet dhe forcat në dispozicion. Çdo minutë vonesë e rëndon më shumë situatën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: agron gjekmarkaj zjarri

