Lajme Zone
Zjarri nuk ndalet as pas 48-orëve në Mallakastër, era dhe temperaturat e larta përkeqësojnë situatën
Të tjeraTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Zjarri nuk ndalet as pas 48-orëve në Mallakastër, era dhe temperaturat e larta përkeqësojnë situatën

Prej afro 48 orësh, flakët vijojnë të përpijnë sipërfaqe të mëdha me pyll me pisha në fshatin Ribaj të Mallakastrës.

Prej afro 48 orësh, flakët vijojnë të përpijnë sipërfaqe të mëdha me pyll me pisha në fshatin Ribaj të Mallakastrës. Zjarri, i cili ka nisur që në mëngjesin e ditës së djeshme, ka avancuar në drejtim të fshatit Lofkënd, duke përfshirë dhjetëra hektarë me pyje dhe bimësi.

Gjatë ditës së djeshme, në terren u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja u mbështet edhe nga ajri me dy helikopterë. Në orët e mbrëmjes zjarri u konsiderua i vënë nën kontroll, por gjatë natës flakët u riaktivizuan.

Sot, në ndihmë të forcave zjarrfikëse ka mbërritur edhe një avion Air Tractor AT-802F Fire Boss, i cili po operon për herë të parë në zonën e Mallakastrës, duke ndërhyrë nga ajri në vatrat më problematike.

Pavarësisht ndërhyrjes intensive nga toka dhe ajri, era e fortë dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa zjarri vijon të djegë sipërfaqe të konsiderueshme me pisha.

Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e flakëve dhe mbajtjen larg zonave të banuara, ku janë stacionuar mjete dhe efektivë për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për banorët dhe banesat. Top Channel