Situata nga zjarri në zonën e Qafës së Koshovicës paraqitet alarmante, ndërsa flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë përfshirë edhe pyllin me pisha pranë liqenit. Era e fortë po favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit, ndërsa dy lokale në zonë janë rrezikuar nga flakët. Policia ka nisur evakuimin e personave nga zona.
Përballë situatës, një prej qytetareve ka bërë apel për ndërhyrje nga ajri, duke kërkuar helikopterë për shuarjen e zjarrit.
“Kemi kërkuar helikopterë të fiket zjarri. Është mundimi ynë i tërë jetës që kemi punuar. Nuk e kemi gjetur të gatshëm. Tre orë ‘po vijmë, qetësohuni zonjë se po vijmë’. Kur të qetësohem? Kur të vijë te këmbët? Kur të na gjejnë të djegur. Kërkoj ndërhyrje nga ajri, kërkoj ndihmë nga Zoti, se shteti nuk më ndihmoi. Erdhi zjarri dhe shteti nuk më ndihmoi”, shprehet ajo.
Pronarët e lokaleve vijojnë të kërkojnë ndihmë urgjente, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në zonën e pyllëzuar. Top Channel

